“Reformat duhet të jenë përpjekje kombëtare për Shqipërinë, opozita të kontribuojë”

Aleksandër Arvizu, ambasadori i SHBA-ve, ripërsërit apelin
Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, ka përsëritur edhe njëherë thirrjen publike ndaj faktorëve politik në vend, për kryerjen e reformave si kusht kryesor për integrimin evropian të vendit. Në disa dalje publike të tij, diplomati amerikan është shprehur shkurt dhe qartë se ka nevojë për një Pakt Kombëtar që anashkalon ndasitë politike. “Ajo që doja të thosha është se shumë njerëz duhet të përqafojë reformat dhe duhet të ecin përpara sepse duhet të jetë një përpjekje kombëtare. E di që do të jetë shumë e vështirë sepse ka një ndasi politike këtu, por nëse shikojmë në të shkuarën e afërt të fqinjëve tanë si Sllovenia dhe Kroacia, për këdo që ka informacion, e kupton që edhe ata kanë pasur në të shkuarën pengesa me të cilat janë hasur, por përsëri kanë ditur si t’i kapërcejnë ato, për të ecur përpara në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Nuk ka asnjë arsye të mendosh se kjo nuk do mund të bëhet në Shqipëri. Kjo varet nga aktorët kryesorë politik që të kenë vullnetin dhe angazhimin dhe varet edhe nga shqiptarët, që t’i kërkojnë udhëheqësve të tyre, të ndërmarrin angazhime në dobi të progresit evropian të vendit”, u shpreh ambasadori amerikan në Tiranë, Arvizu. Deklarata vjen vetëm pak ditë nga fillimi i sesionit të ri parlamentar dhe një nga detyrat kryesore të klasës politike në Shqipëri, është përmbushja e 12 kritereve të paracaktuara nga Brukseli zyrtar, që Shqipëria të përfitojë statusin kandidat. Vetëm dy ditë më parë, në një tjetër deklarim të tij, ambasadori amerikan kujtoi se përmbushja e këtyre kritereve nuk është vetëm detyrë e Qeverisë, por edhe e Opozitës. Në këtë frymë ai foli për një Pakt Kombëtar, që synon bashkëpunimin e opozitës, për çështje kombëtare siç është integrimi Evropian.
...