E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjatë brigjeve të Tripolit

01-09-2011 / Nga Robert Kagan (Weekly Standard)

Përmbysja e diktaturës 42 vjeçare të Gadafit është një fitore e jashtëzakonshme për revolucionin panarab të njohur si Pranvera Arabe.
Lindja e Mesme e njohur për dinastitë e pafundme dhe për dinastitë që aspiron – Ben Ali në Tunizi, Mubarak në Egjipt, Sadami në Irak, Assadi në Siri, Husein në Jordani, familja mbretërore në Arabinë Saudite - është dëshmitare për rënien njërës pas tjetrës të ikonave.
Mbretërit mund ta shndërrojnë veten në monarkë konstitucionalistë, duke ia transferuar një pjesë të madhe të pushtetit parlamentit të zgjedhur.
Por ata që i rezistojnë rrymës, do të bien një ditë, pse jo, edhe me forcën e armës – si në Libi.
Libia nuk solli ndonjë shfaqje të veçantë. Ajo që pamë ishte një pjesë kritike e evolucionit të shtrirë në rajon.
A u lejua që Gadafi të fitonte betejën e tij kundër rebelëve; po forcat e tij a u lejuan të hynin në qytetin e Bengazit, të shtypnin rebelimin dhe të zbatonin premtimin për të asgjësuar çdo kundërshtar të regjimit.
Rënia e Gadafit ka shtuar presionin edhe te regjimi i Asadit në Damask.
Tashmë disa nga shtetet konservatore të Arabisë, disa prej të cilave kanë përkrahur rebelët në Libi, po shtojnë epërsinë mbi Asadin. 
Kur të bjerë edhe regjimi i Damaskut, largimi i Gadafit do të jetë një pjesë domethënëse e historisë.
Kjo është një arsye pse rënia e Gadafit është gjithashtu një triumf për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e NATO-s.
Ka shumë për të kritikuar lidhur me mënyrën se si i ka zhvilluar operacionet NATO. Ndërhyrja në Libi ishte padyshim jo kambana e vdekjes për aleancën, siç janë shprehur disa, por nuk ishte as një shenjë e forcës së madhe dhe e vitalitetit.
Ajo që është e padiskutueshme është se NATO avancoi në një moment kritik dhe ndërroi drejtim.
Fakti i thjeshtë është se pa ndërhyrjen e armatosur të NATO-s duke përfshirë edhe 8 000 sulmet, futjen e forcave speciale dhe përgatitjen e ndihmës ushtarake për rebelët, Gadafi mund t’ia kishte dalë mbanë në shtypjen e rebelëve dhe në masakrimin e mijëra njerëzve, duke përfshirë këtu edhe gra, burra, fëmijë.
Duke ndërhyrë me forcë, NATO jo vetëm shpëtoi jetë njerëzish në Libi, por edhe mbajti gjallë vrullin e Pranverës Arabe.
Aleanca tregoi se demokracitë e mëdha të botës nuk janë të dobëta, të padobishme dhe të përçara. Ato janë të fuqishme, të afta të veprojnë në union dhe ç’është më e rëndësishmja, ende angazhohen në emër të interesave dhe idealeve të tyre.
Që ia dolën me sukses ta hiqnin qafe Gadafin, kjo tregon se ka ende jetë në ato kocka të vjetra.
Sidoqoftë, fundi i regjimit të Gadafit është një arritje e madhe për administratën e Obamës dhe për vetë presidentin personalisht.
Është turp që disa zyrtarë të administratës po përpiqen të minimizojnë rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në gjithë këtë çështje.
Vendimi më i rëndësishëm i marrë nga ndonjë lider botëror në gjithë këtë episod – vendimi që bëri ndryshimin – ishte pikërisht vendimi i Presidentit Obama që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë bota nuk mund të bënin sehir dhe të shihnin popullin e Bengazit që masakrohej.
Zgjedhja amerikane ishte pika e kthesës. Gjithçka falë presidentit francez Nikolas Sarkozy dhe kryeministrit të Anglisë David Kameron, të cilët treguan vëmendjen e duhur për të parë nevojën për veprime ushtarake – tamam si Margaret Theçer me Xhorxh Bushin, kur u pa nevoja e ndërhyrjes ushtarake kundër Sadam Hyseinit më 1990.
Por e vërteta e qartë dhe kritike është: asnjë prej tyre nuk do ia kishte dalë pa ndërhyrjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kryesoi rrugën.
Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kapacitetin ushtarak, edhe armatimin, edhe teknologjinë e mbikëqyrjes së plotë, si dhe aftësinë për të hapur shtegun drejt ajrit dhe tokës në luftën kundër forcave të Gadafit.
Franca dhe Britani të vetme nuk do ia dilnin mbanë pa u ndeshur me rrezikun e papranueshëm ndaj forcave të tyre.
Gjatë ditëve të konfliktit, mbikëqyrja e teknologjisë së lartë amerikane i lejoi rebelët të lokalizonin pozicionet e forcave të Gadafit përreth Tripolit.
Rusia dhe Kina pranuan në heshtje vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke iu frikësuar zemëratës arabe.
Kjo pati koston e vet, sidoqoftë: një rezolutë e Kombeve të Bashkuara e përshtatshme për të mbajtur shumë lojtarë në fushë gjatë misionit.
Në fakt ia vleu. Administrata kishte padyshim të drejtë që ndërhyrja do të ishte më efektive nga forcat amerikane dhe se kombinimi i përkrahjes së Europës dhe Arabisë për ta hequr nga pushteti Gadafin ishte i mjaftueshëm për të përligjur disa kompromise. Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të mblidhte bashkë të gjitha ato forca të ndryshme politike dhe rajonale. Asnjë komb tjetër, as Franca, as Britania e Madhe, madje as Bashkimi Europian nuk do ia dilnin mbanë me këtë detyrë globale diplomatike.
Në këtë botë gjoja “post-amerikane”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet si e domosdoshme, ashtu edhe e pazëvendësueshme.
Përktheu: Rudina Dahri

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›