BE dënon deklaratat e opozitës për marrje të pushtetit me dhunë

Të tilla qëndrime nuk mund të marrin asnjë lloj mbështetje në Bruksel
Pas një vale kërcënimesh dhe paralajmërimesh të paprecedenta ndaj qeverisë, të përfaqësuesve të opozitës me në krye Edi Ramën, ka ardhur sot reagimi zyrtar i përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian. Bashkimi Europian dënon rëndë deklaratat e opozitës në Shqipëri për marrje të pushtetit me dhunë duke shprehur se këto qëndrime nuk mund të gjejnë asnjë lloj mbështetje në Bruksel. I pyetur në Bruksel lidhur me deklaratat e kryetarit të e kryetarit të PS-së për përdorimin e forcës në largimin e një qeverisje të dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 28 qershorit, përfaqësuesi i BE në delegacionin për Shqipërinë në Bruksel, Joze Portillo tha se “BE dënon deklaratat për marrje të pushtetit me forcë” dhe përsëriti kërkesën drejtuar opozitës për të hyrë në parlament. “Ne inkurajojmë partitë politike që dialogu politik të bëhet në parlament”, tha zyrtari i lartë i BE-së. Një ditë më parë, Drejtori i KE-së për Ballkanin Perëndimor Pierre Mirel deklaroi gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta se opozita shqiptare duhet t’i rikthehet debatit politik në sallën e Kuvendit dhe jo në rrugë, siç ka bërë deri më tani. Mirel apeloi zyrtarisht që opozita të lërë përfundimisht rrugën dhe të bëhet pjesë e sallës së Kuvendit, aty ku starton çdo sfidë e Shqipërisë drejt integrimit në BE. “Debati politik në një shtet demokratik mund të bëhet vetëm në sallën e Kuvendit dhe jo në rrugë. Theksoj se në opinionin e Bashkimit Europian do të merret parasysh edhe funksionimi i Parlamentit dhe pjesëmarrja e opozitës në sallë”, u shpreh Mirel duke i bërë thirrje opozitës të hyjë në Parlament.
...