Tanja Fajon: Në verë të 2010-ës edhe Shqipëria në listën e bardhë të “Schengenit”

Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon jep garanci të plotë se Shqipëria do të hyjë në procesin e lehtësimit të vizave brenda këtij viti. Gjatë një interviste për BBC, Fajon u shpreh se është për tu admiruar ritmi i plotësimit të kritereve nga qeveria shqiptare dhe se Shqipëria është e gatshme për të firmosur marrëveshjen e liberalizimit të vizave me KE, brenda korrikut të 2010-ës. “Kam shprehur keqardhjen time që në korrik të vitit të kaluar kur Shqipëria dhe Bosnja nuk u përfshinë në të ashtuquajturën listë të bardhë të vizave. Por më erdhi mirë kur pashë se të paktën tri vendet e tjera fqinje morën këtë regjim të vizave. Unë shpresoj se Shqipëria dhe Bosnja do të hyjnë në këtë proces të lehtësimit të vizave këtë vit”, u shpreh Fajon.Ndërkaq, e pyetur nëse “a ka qenë Kosova e përjashtuar nga ky proces i liberalizimit të vizave për shkak të moszhvillimit të saj dhe frikës në BE se do të këtë një fluks të madh të qytetarëve të saj që do të largoheshin menjëherë”, Fajon e kundërshtoi këtë.“E para mund të them se nuk është e përjashtuar sepse ka frikë edhe për Shqipërinë dhe Bosnjën gjithashtu. Problemi kryesor është statusi i pazgjidhur i Kosovës. Sepse siç e thash janë ende 5 anëtare të BE-së që ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës”.Duke u përqëndruar tek Kosova, Fajon theksoi se Kosova nuk do të duhej të mbetej një “vrimë e zezë” në hartën e Balkanit Perëndimor. “është e vështirë që ta kuptojnë gjeneratat e reja dhe studentët në Kosovë, të cilët ndoshta asnjëherë në jetën e tyre nuk arritën të udhëtojnë jashtë”.Fajon tha se shpreson se do të ketë kurajo edhe nga BE-ja që të gjejë një zgjidhje për të filluar dialogun për vizat edhe me Kosovën....