Brukseli: “Shqipëria gëzon stabilitet politik, të aplikojë për statusin kandidat
Presidenca çeke ka inkurajuar dje zyrtarisht Shqipërinë që të aplikojë sa më shpejt për marrjen e statusit kandidat për në BE. Procedura pritet të përfundojë para 15 marsit, kur pritet që ministrat e jashtëm të mbështesin kërkesën e kryeministrit Sali Berisha dhe të miratojnë unanimisht procedurën e pranimit të aplikimit
TIRANE - Presidenca çeke jep konfirmimin në Parlamentin Evropian se integrimi i shpejtë i Ballkanit është një prioritet kyç dhe se pritet që pas Malit të Zi, Shqipëria të aplikojnë për statusin e vendit kandidat.
Komisionari evropian Olli Rehn, ka theksuar se çfarë kriteresh një vend, duhet të plotësojë për të kërkuar statusin kandidat në BE.
“Së pari është kriteri ekonomik, një vend duhet të dëshmojë rezultate për zbatimin e MSA-së, dhe së dyti reformat që lidhen me integrimin Evropian, duhet të përparojë në mënyrë që vendi të ecë ekonomikisht drejt BE-së”, deklaroi Rehn.
Rehn evidentoi se Shqipëria po përjeton një stabilitet të theksuar politike dhe se duhet të vihet në gjendje për të marrë përsipër detyrime, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me ndryshimet nevojshme legjislative dhe ekonomike.
“Shqipëria e ka zbatuar pa pengesa Marrëveshjen e ndërmjetme të Stabilizim Asociimit që është diçka pa dyshim tepër pozitive. Tani është e rëndësishme që Shqipëria të garantojë se zgjedhjet e vitit që vjen do të zhvillohen në përputhje me të gjitha standardet evropiane. Ky është një test për pjekurinë politike, për stabilitetin politik dhe për demokracinë e vërtetë. Për këtë arsye është e rëndësishme të bindim Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të tij në këto aspekte para se të mund të lëvizim përpara në procesin e përafrimit të Shqipërisë. Ka pasur disa progres në këto fusha të cilat i kanë njohur disa vëzhgues dhe organizata ndërkombëtare. Thënë kjo në vend mbetet plot punë për t’u bërë dhe sigurisht që ajo që ne kemi nevojë të shohim është që toleranca të jetë zero për korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të shohim që këto probleme të adresohen si me vendosmëri njësoj edhe me rezultate konkrete”, është shprehur Rehn.
Kësisoj, vendi aplikues duhet të dëshmojë se gëzon mbështetjen e vendeve anëtare përpara se të aplikojë, pasi kjo do të ishte e vetmja garanci që kërkesa për kandidaturën të merrej në shqyrtim.
Pas 2 vjet e gjysmë nga nënshkrimi në 12 qershor të 2006-ës, BE-ja përmbyll procesin e ratifikimit të MSA-së me Shqipërinë (Greqia ishte vendi i fundit që ratifikoi MSA-në), afat kohor ky normal i krahasuar me vendet kandidate.