E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR: Shkojmë deri në referendum

• Pas kompromisit nëpërmjet deklaratave mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për reformën zgjedhore, pozicionohen publikisht kundër partitë e vogla të koalicionit qeveritar.Partia Republikane dhe Partia Demokristiane, dy partitë me numrin më të madh të deputetëve pas PD-së, në koalicionin qeveritar, kërkojnë me ngulm që të merret edhe mendimi i tyre lidhur me reformën në sistemin e drejtësisë. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, theksoi dje se dy partitë e mëdha kërkojnë të vendosin monopolin në kryerjen e kësaj reforme, e cila është një prej dy kushteve kryesore të marrjes së ftesës për në NATO në prill të këtij viti. “Ajo që ne kishim paralajmëruar, që partitë politike kryesore, PD dhe PS përpiqen të mbajnë monopolin, u shfaq dukshëm në prononcime. Sistemi zgjedhor nuk mund të ndryshojë në Shqipëri pa vullnetin e partive të vogla politike. Partitë e vogla politike në fund të fundit kanë instrumentin për një kërkesë për referendum dhe sigurisht në këtë rast procesi do të zvarritej”, theksoi dje kryetari i deputetëve republikanë. Më tej, kreu i grupit republikan shprehet se diskutimet për reformën zgjedhore duhet të përfshijnë edhe partitë e vogla. “Reforma zgjedhore në Shqipëri kërkon domosdoshmërish përfshirjen e partive të vogla në këtë proces. Reforma do të zvarritet, për aq kohë sa partitë e vogla nuk do të jenë pjesëmarrëse në hartimin e saj. Dua të theksoj faktin se ne nuk kemi asnjë rezervë lidhur me negociatat dhe marrëveshjet politike midis partive. Për sa kohë që ne ndihemi të përjashtuar nga ky proces, ai merr formën e kushtëzimit”, theksoi Madhi. Kundër dy partive të mëdha është pozicionuar dje edhe kreu i demokristianëve, Nard Ndoka. Sipas kryetarit të PDK-së, dy forcat e mëdha politike kanë dhunuar shpeshherë vitet e fundit sistemin zgjedhor në vend. Ndoka shprehet se qëllimi i partive të vogla është vendosja e një standardi të ri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Sipas Ndokës, ky standard është pikërisht nisja e garës në kushte të barabarta për të gjitha partitë politike në zgjedhje. “Do të ishte mjaft e rëndësishme që pazaret politike mes dy partive politike, të cilat e kanë dhunuar sistemin zgjedhor në vite, të marrin fund. Ne po kërkojmë standarde për të gjitha partitë politike, po kërkojmë standarde demo-kratike dhe një bazë të qartë ligjore, një start të barabartë për të gjitha partitë dhe jo benefice për të përfituar parti të veçanta politike”, theksoi kreu i demokristianëve, Nard Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›