E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes 55-vjeçari, e zuri poshtë masivi i kromit



BULQIZË - Një tjetër punëtor minierash në Bulqizë humbet jetën dje pasdite. Burimet zyrtare në komisariatin e Bulqizës bëjnë të ditur se është ndarë nga jeta gjatë një aksidenti në punë shtetasi Xhevat Bulqiza, banor në qytetin e Bulqizës. Teksa po punonte, është shkëputur një masi i madh stoku me krom, duke e zënë poshtë 55-vjeçarin. Policia ka saktësuar me detaje ngjarjen se 55 vjeçari po përpiqej të zbriste poshtë masivët kur rrëshqiti duke shkëputur një masë të konsiderueshme që ra sipër tij duke i marrë në mënyrë të menjëhershme jetën. Stoqe të tëra me krom dergjen në periferi të Bulqizës, ku janë të punësuar dhjetëra punëtorë të cilët punojnë për mbijetesën e përditshme për llogari të firmave të ndryshme që shfrytëzojnë këto masive fitimprurëse. Viktimë e radhës në këtë vend mbeti edhe 55-vjeçari Bulqiza. Ngjarja e djeshme e çon në pesë numrin e të vdekurve aksidentalisht në këtë rreth gjatë vitit 2008. Ndërsa në 18 muajt e fundit janë shënuar 14 viktima.

Vdes 16-vjeçari, përplasi makinën me shtyllën elektrike

SHKODËR - Një 16 vjeçar nga Shkodra humbi jetën të enjten në mëngjes, pasi automjeti që ai drejtonte doli nga rruga në aksin rrugor Shkodër-Velipojë. Burime zyrtare të policisë së Shkodrës thanë se "16 vjeçari A.B, banues në Velipojë, po drejtonte automjetin e tij tip 'Golf 5' me targa 483 T 609 kur doli nga rruga dhe u përplas me me një shtyllë dhe më pas me një objekt tjetër, në vendin e quajtur Qendër-Sektor". Mësohet se në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së Shkodrës, të cilat po bëjnë verifikimet rreth këtij aksidenti me pasojë vdekjen e adoleshentit, i cili drejtonte automjetin pa u pajisur me patentë.

Shtypi 5 vjeçarin në Durrës, kapet në Qafë Thanë

DURRËS – Pasi ka aksidentuar një 5-vjeçar, është larguar me shpejtësi, duke tentuar të fshihet në Greqi, por 20 ditë pas ngjarjes është kapur në një nga pikat kufitare. Burimet zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se është ndaluar shtetasi Vladimir Bunçi, i akuzuar për një aksident të ndodhur më 15 maj të këtij viti në lagjen “Stalla” në komunën e Sukthit. Në kohën kur 25-vjeçari Bunci po drejtonte mjetin e tij tip “golf” me targa të huaja, ka përplasur një të mitur në rrugë dhe pa ndaluar dhe pa i dhënë ndihmën e shpejtë të lënduarit. Punonjësit e policisë pasi kanë bërë verifikimet e vendit të ngjarjes, kanë identifikuar autorin, të cilin e shpallën në kërkim. Por, vetëm mbrëmjen e së mërkurës është bërë e mundur kapja e tij, teksa Vladimir Bunci po tentonte të ikte drejt shtetit fqinj.

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›