Mësuesja feston 35-vjetorin në polici

FIER- Një derë klase e prishur në gjimnazin "Janaq Kilica" futi dje në debat mësuesen e kimisë, kujdestare e klasës III /9, Fatmira Paloja, me drejtorin e shkollës, Nexhi Sulaj. Sharjet mes tyre bënë që dy kolegët të përfundojnë në polici, gati për të denoncuar njëri-tjetrin për “fyerje për shkak të detyrës”. Mësuesja e kimisë kishte dje ditëlindjen, ndaj kishte prenotuar një lokal për 35-vjetorin, ku do të festonte me nxënësit e klasës së saj. Por, në momentin që po dilnin nga klasa, te dera u shfaq drejtori Sulaj, i cili insistonte që 35 nxënësit e kësaj klase duhet të paguanin 50 mijë lekë të vjetër për rregullimin e derës. Mësuesja e cila mbronte nxënësit e saj, duke pretenduar se nuk e kishin dëmtuar ata derën e klasës, nisi të debatojë ashpër me drejtorin që kërkonte me ngulm paratë. Debati arriti në atë pikë saqë njëri prej nxënësve njoftoi me telefon policinë lokale, e cila mbërriti me shpejtësi në vendngjarje dhe shoqëroi në komisariat dy mësuesit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se fillimisht dy kolegët kanë dashur që të bëjnë denoncim karshi njëri-tjetrit për shpërdorim detyre dhe fyrje publike, por gjërat pas 90 minutash në polici të Fierit janë sheshuar dhe dy kolegët kanë dalë nga ky institucion pa kryer kallëzim penal. “Jemi kolegë pune, nuk ia vlen”, mësohet se thanë ata. Mësuesja me nxënësit u drejtua më pas në lokalin ku i priste festa.