E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset për trafik klandestinësh

SARANDE - U lirua nga Krimet e Rënda për mungesë provash në trafikun klandestin, arrestohet sërish për të njëjtën vepër penale.

Një urdhër i lëshuar nga Prokuroria e Sarandës ka vënë në pranga 41-vjeçarin Rexhep Zani, i shpallur në kërkim për akuzën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi. Zani është një ndër 12 personat e arrestuar në korrik të vitit 2007, së bashku me 6 policë të Komisariatit të Sarandës dhe 5 civilë të tjerë, në kuadër të operacionit të koduar "Butrinti". Banori i Fushë-Mamurrasit u ndalua në korrik të vitit të shkuar, si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal në trafikun klandestin. Por së bashku me një nga ish-policët e Sarandës, ai u lirua dy muaj më pas, në muajin shtator nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila shqyrtonte edhe dosjen "Butrinti". Për mungesë të provave ndaj tij, Zani u la me masën detyrim paraqitjeje. Ndërsa qarkullonte i lirë, 41-vjeçari akuzohet se ka ndihmuar një grua që të kalonte kufirin, rreth 2 muaj pas daljes nga burgu. Ky shërbim i ka sjellë atij një përfitim prej 1 mijë eurosh. Kthimi i gruas nga pala greke ka çuar në zbulimin e personit që shoqëroi atë deri në tokën greke, duke bërë arrestimin për herë të dytë të Rexhep Zanit. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›