E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ura në Rrjoll izolon banorët

SHKODER - Rreth 1 mijë banorë të fshatit Rrjoll të Komunës Velipojë janë të detyruar që pjesën me të madhe të dimrit të jetojnë të izoluar.

Edhe jetojnë në një zonë bregdetare, shkak për izolimin e tyre është një urë druri në lagunën e Vilunit, e cila lidh këtë fshat me plazhin e Velipojës. Ura është e gjatë rreth 250 metra, e ndërtuar në mënyrë primitive para 4 vitesh nga vetë banoret e zonës me mjete të ndryshme rrethanore. Para se të ndërtohej ura, ky fshat lëvizte nga njëri breg në tjetrin, me një varkë të vetme. Por, ndërtimi i saj nuk është zgjidhja përfundimtare. Në kohë me furtunë dhe me shi, banoret mbesin të izoluar në fshat nga frika për të kaluar mbi urë. Një nga banorët e fshatit, Gjovalin Zeka thotë se, ura ekzistuese është ndërtuar në mënyrë primitive, me dërrasa dhe nuk ka asnjë element sigurie. Disa dërrasa janë thyer, duke e bërë një pjesë të urës të pakalueshme. Fshati Rrjoll përfshihet në zonën turistike, shumë pranë plazhit të Velipojës dhe gjatë stinës së verës është mjaft e frekuentuar nga pushues të shumtë ,duke u bërë dhe burim i ndonjë tragjedie, pasi në disa vende thellësia arrin deri në 15 metër. Dikur në këtë zonë nuk ekzistonte asnjë mundësi lidhjeje mes brigjeve të lagunës, përveç disa varkave prej tyre. Më pas banorët vendosën me financimet e tyre të ndërtonin urën prej dërrase, tashmë e amortizuar. Ata janë ankuar tek drejtuesit e komunës për të mundësuar ngritjen e një ure të fortë që të shmangë shqetësimin e vazhdueshëm. Drejtues të komunës janë shprehur pozitivisht, se është parashikuar një fond prej 500 mijë lekësh, por nuk dihet ende se kur do të vihet në zbatim ai.       r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›