E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformimi i strukturave të rendit prioritet absolut i qeverisë Berisha

Reformimi i thellë i strukturave të rendit në kuadër të intensifikimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jetë një ndër prioritete kryesore të qeverisë. Këtë premtim ka dhënë dje kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi që zhvilloi me shefin e misionit “PAMECA 3”, Michael Colbourne dhe përfaqësues të këtij misioni, të shoqëruar nga kreu i delegacionit te KE-së ne Shqiperi Helmut Lohan. Duke iu uruar mirëseardhjen, si dhe një punë të suksesshme në vendin tonë, kryeministri Berisha, vleresoi ndihmën e çmuar qe misioni PAMECA ka dhënë për zhvillimin dhe modernizimin e policisë shqiptare. Kryeministri siguroi në këtë kuadër se misioni PAMECA 3 do te kete mbeshtetjen e qeverise shqiptare dhe te strukturave shteterore në Shqipëri. Duke vënë në dukje se reformimi i forcave të policisë mbetet një prioritet i qeverisë shqiptare, për konsolidimin e shtetit ligjor, kreu i qeverisë theksoi se në procesin e reformimit janë arritur rezultate të kënaqshme, por më e rëndësishme është konsolidimi i këtyre rezultateve. Në këtë kontekst,- kryeministri -evidentoi ndihmën e madhe që mund të japë misioni PAMECA nëpërmjet trajnimit të punonjësve të policisë dhe mbështetjes financiare për policinë shqiptare. Gjithashtu, Berisha u ndal në ndihmën e çmuar që misioni PAMECA mund të japë në drejtim te buxhetit të policisë, për ngritjen cilësore të punës së saj, si dhe në luftën kundër korrupsionit të brendshëm në polici. Nga ana e tij, zoti Colbourne u shpreh se vazhdimi i misionit të PAMECA-s në Shqipëri është një aspekt shumë i rëndësishëm në ndihmë të policisë shqiptare dhe se kjo ndihmë do të bazohet mbi një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe strukturat përkatëse. Po ashtu përfaqësuesit e PAMECA, vlerësuan prioritetin që qeveria shqiptare i ka dhënë ngritjes së imazhit të policisë së shtetit, si dhe modernizimit dhe reformimit të saj dhe shprehën bindjen se do të gjenin mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Berisha, në vazhdimin e punës së tyre në Shqipëri. Duke theksuar se suksesi i fazës së dytë të misionit, ashtu si i pari është një inkurajim për punën dhe rezultatet e policisë së shtetit, në përballje me krimin, Shefi i PAMECA-s u shpreh se çelësi i këtij suksesi do të jetë në duart e vete policisë së shtetit. “Misioni PAMECA,- u shpreh zoti Colbourne- do të jetë pranë policisë shqiptare me trajnimet e oficeerëve të policisë përmes ideve dhe projekteve të reja.” Nga ana e tij, Kreu i delegacionit te KE-së Lohan përshëndeti fillimin e misionit të dytë të PAMECA-s në Shqipëri dhe u shpreh se "BE, i jep një rëndësi parësore luftës kundër korrupsionit, në kuadër të të cilit është dhe modernizmi dhe reformimi i mëtejshëm i policisë shqiptare. Kreut të misionit PAMECA 3, i është rezervuar një takim i veçantë edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Gjatë këtij takimit në Presidencë zoti Kolbërn, mori mbështetjen e tij për vazhdimësinë e kontributit të këtij misioni në reformimin e strukturave të rendit. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, kreu i Shtetit vlerësoi punën e madhe dhe ndihmesën e misionit PAMECA për reformimin e strukturave të rendit në Shqipëri, në përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së dhe ngritjen e nivelit profesional. Presidenti Topi theksoi se pas marrjes së ftesës për në NATO dhe përparimit të Shqipërisë drejt integrimit në BE, strukturat e rendit kanë nevojë dhe mund të përfitojnë shumë nga bashkëpunimi i frytshëm dhe përvoja e misioneve të tilla ndihmëse si PAMECA dhe EURALIUS, duke mundësuar konsolidimin e shtetit ligjor dhe rritjen e sigurisë e lëvizjen e lirë të njerëzve. Kreu i ri i Misionit PAMECA 3, Kolbërn, e siguroi Presidentin Topi për rritjen e cilësisë profesionale të strukturave të rendit në Shqipëri, perfeksionimin e kuadrit ligjor dhe bashkëpunimit transparent, profesional dhe efektiv me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në kuadër të përmbushjes edhe të standardeve të kërkuara integruese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›