E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzimi i statusit debat i ashper pozite-opozite

Ashtu siç pritej dhe siç theksohej në progres-raportin e Brukselit, palët politike ia kanë hedhur përsëri fajin njëra-tjetrës për refuzimin e dytë të statusit të vendit kandidat në BE. Maxhoranca quan barbare dhe bllokuese opozitën, ndërsa kjo e fundit kërkoi largimin e kryeministrit. As këtë herë, dokumenti i Komisionit Europian nuk është lexuar njëlloj nga palët.

“Edhe ai, edhe ata janë shqiptarë sepse atë që i kanë bërë shqiptarët Shqipërisë, nuk ia ka bërë asnjë barbar. Sepse atë që i ka bërë Enver Hoxha Shqipërisë, s’ia kanë bërë të gjitha pushtimet. Ju nënshtroi si skllevër”, tha kryeministri Sali Berisha.

“Zoti kryeministër shqiptar je edhe ti, por këtë që i ke bërë këtij vendi e këtij populli, do të kishte zili ta kishte bërë çdo pushtues i tij. Për këtë ti do të japësh llogari. Për këtë ti duhet të japësh dorëheqje ”, tha Gramoz Ruçi, kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së.

“Kryetari juaj i thotë gjithë botës: “Jo, Jo!”. Dhe e dini vetë ju se ç’fjalë të ndyra përdor dhe ciliu është fjalori i tij ndaj miqve dhe aleatëve të Shqipërisë, që pastaj u bën letra nga më të pështirosurat që mund të ekzistojnë. Doni rregullore të Parlamentit Europian? Asnjë gjë, nuk dua t’u dhunoj dhe cënoj asnjë hapësirë të vetme. Nëse doni rregulla për të dhunuar parlamentarizmin, kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Nëse doni rregulla për të dhunuar parlamentarizmin, kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Doni të bëheni zëdhënës të presidentit? Bëhuni, por ne jemi shumicë këtu”, theksoi Berisha.

“Keni humbur, keni dëmtuar dhe keni shkatërruar në sytë e opinionit ndërkombëtar kredibilitetin e vendit. Këtë s’do t’ua falin kurrë shqiptarët. Sot, minimumi veçanërisht ata që janë në pushtet duhet të mbanin kokën ulur. Duhet t’u kërkoni falje shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, pale që s’e kanë moralin dhe përgjegjësinë institucionale të jepnin dorëheqjen”, theksoi Ruçi.

Socialistët kërkuan një seancë të posaçme për mocion me debat për progres-raportin, ndërkohë që mes akuzave ish ministrja e integrimit, ka hedhur idenë e një tryeze dialogu mes Ramës dhe Berishës.

“Drejtuesit tanë politikë të nivelit më të lartë të mos komunikojnë më në distancë për hir të interesave kombëtare, por të ulen dhe t’i hapin rrugë për herë të parë kësaj axhende europiane”, tha ish-ministrja e integrimit, Ermelinda Meksi.

“Po ku kryetari ekstraparlamentar një herë i quan ligjet teknikalitete të panevojshme për misionin e tij të madh të politikës së re, pastaj tenton ti përdorë si zare dhe ti hedhë në lojë derisa të p[iqen kusghtet e tij. Dhe kur thotë: “Do votoj”, dhe kur thotë: “S’do votoj”, ky njeri thjesht tallet”, tha Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

Ashtu si para vlerësimit të Brukselit, as pas notës negative, parlamenti nuk mundi të miratojë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash.

Elona Gjylmi

Azhornuar së fundi ( e premte , 14 tetor 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›