Burgjet, policia 4 muaj pa marrë shtesat e pagave
Mospagimi i parave të lejeve dhe shtesave të tjera suplementare është argumentuar me mungesën e fondeve
TIRANË- Edhe pse është miratuar ligji për shtesat në pagë këtu e katër muaj më parë, efektivët e policisë së burgjeve vazhdojnë të paguhen me ligjin e vjetër, duke mos përfituar shtesat e dhëna me vendim të qeverisë.
Sipas ligjit të ri për Policinë e Burgjeve i dekretuar nga Presidenti me datë 11 dhjetor 2008 dhe që ka hyrë në fuqi në muajin maj, policia e burgjeve përfiton 30 deri 45 ditë pushim vjetor, i cili edhe nëse nuk kryhet brenda vitit i lejohet ta kryejë deri në mars të vitit tjetër, në të kundërtën bëhet kompensimi në vlerë sikurse orët shtesë të punës dhe shërbimit.
Por, kjo e fundit që nga muaji maj nuk paguhet për policinë e burgjeve, që sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme, kjo vonesë ka ardhur për shkak të mos selektimit dhe ndarjes së gradave për policinë e burgjeve.
Ndërkohë, vetë efektivët e policisë së burgjeve të frikësuar për tu identifikuar për ankesat e tyre, u shprehën se "që nga muaji maj nuk kemi marrë pagesat e orëve shtesë dhe shërbimet e kryera. Kjo vonesë, sipas tyre, është justifikuar se nuk ka fonde të mjaftueshme.
Që për zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ky pretendim nuk qëndron dhe e vetmja arsye e mos dhënies së këtyre shtesave është mos vënia në zbatim ende e ligjit të gradave.
Sipas ligjit që tashmë ka hyrë në fuqi, koha e punës dhe e pushimit për Policinë e Burgjeve njësohet me atë të administratës publike, pushimi vjetor i pagueshëm është 30 deri në 45 ditë kalendarike. Ligji parashikon kompensim në lekë për rastet e pushimit të pa dhënë si dhe për orët shtesë në punë.
Në raste fatkeqësish apo gëzimesh familjare, punonjësi i Policisë së Burgjeve ka të drejtë për shtatë ditë leje të pagueshme ose 1 muaj leje pa të drejtë page dhe pa llogaritje të këtij intervali kohor në vjetërsinë e punës.
"Pritet që me ndarjen e gradave të vihet në zbatim edhe ligji i pagave të reja për të gjithë efektivët e policisë së burgjeve"-thanë zyrtarët e burgjeve për "Shekullin", duke pranuar mos marrjen e këtyre shtesave nga policia e burgjeve që është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.