E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzojnë skanerin e trupit, humbasin fluturimin

Autori i Lajmit: Redaksia

Mançester – Dy gra myslimane janë bërë dy pasagjeret e para që kanë refuzuar të futen në skanerin e ri që tregon imazhe të zhveshura të trupit ditën e djeshme në Angli. Dy gratë myslimane vendosën që të mos fluturonin drejt Pakistanit, duke djegur kështu 2 biletat e tyre, 400 paund secila. Njëra nga gratë refuzoi të futej në skanerin total të trupit në aeroportin e Mançesterit, ndërsa shoqëruesja e saj e refuzoi skanerin për “shkaqe mjekësore”. Dy gratë po përgatiteshin për të fluturuar drejt Islamabadit kur ato u përzgjodhën në mënyrë rastësore nga autoritetet e sigurisë që të kalonin në skanerin e trupit në terminalin 2 të aeroportit. Sot në aeroportet e Britanisë skanerin e kanë kaluar 15 mijë pasagjerë, ndërsa ky ishte rasti i parë që refuzohej. Gratë u paralajmëruan se ato nuk do të ngjiteshin në bordin e aeroplanit, nëse nuk do të skanoheshin, por ato refuzuan. Skanerët 80 mijë pafundësh, që fotografojnë nudo të gjithë trupin e njeriut u instaluan në aeroportet e Londrës dhe Mançesterit më 5 shkurt. Pajisjet me rreze infra i lejojnë stafit të sigurisë që të shohin një imazh të “zhveshur” të pasagjerëve për shkak të fshehjes së eksplozivit dhe armëve, por nga ana tjetër ka hasur në kritika të ashpra, pasi tregon dukshëm dhe organet gjenitale të pasagjerëve. Aeroporti i Mançesterit konfirmoi se pasagjerët kishin refuzuar të skanoheshin, ndërsa konfirmuan gjithashtu se dy gratë nuk ishin ankuar. Gjithsesi, aktivistët e të drejtave civile thonë se ky incident mund të shndërrohet në një precedent për të hapur një proces të madh gjyqësor kundër pajisjes së instaluar së fundmi në disa prej aeroporteve evropiane. Drejtori i grupit aktivist “Big Brother Ëatch”, Alex Deane, tha se organizata e tij do të ofronte ndihmën e saj për ta kaluar çështjen në gjyq, nëse gratë do të dëshironin. “Njerëzit nuk duhet të sakrifikojnë shëndetin e tyre, besimin e tyre dhe dinjitetin e tyre, qoftë edhe privatësinë si kusht për të fluturuar”, - tha ai. “Njerëzit me probleme shëndetësore dhe besimi nuk duhet të detyrohen që të kalojnë në skaner, nëse nuk ka ndonjë arsye të fortë për ta bërë. Në mënyrë qesharake, qeveria i ka injoruar shqetësime të tilla, por ata e kanë gabim”, - shtoi Deane. Britania ka vendosur të instalojë dhe dy skanerë të tjerë brenda muajit mars. Edhe Franca ka filluar të zbatojë kontrollin e gjithë trupit, përmes skanerit, për pasagjerët që udhëtojnë drejt SHBA-së. Fillimisht, kjo metodë kontrolli do të praktikohet për tre muaj. Vendimi erdhi pas sulmit të dështuar në aeroplanin e linjës Amsterdam-Detroit në ditën e Krishtlindjeve. Edhe në këtë vend, reagimet ishin të ndryshme në mesin e udhëtarëve, të cilët ishin vullnetarë, pas instalimit të skanerit më 22 shkurt. Një banor i vjetër i Majamit, Michael Rammel, tha se skanimi ishte praktik dhe i shpejtë, të tjerët ishin të shqetësuar për efektet potenciale të dëmshme. Ndërkohë, drejtori i aviacionit civil të Francës, Patrick Gandil, tha se nuk ka asnjë rrezik për përdorimin e skanerit.

Ky lajm është publikuar: 04/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›