Regjisori Giuseppe Tornatore, në Tiranë për kinematografinë
Kultura italiane nis sezonin e saj në kryeqytet, duke sjellë për publikun veprimtari të ndryshme kulturore dhe artistike. E gjithë kjo atmosferë do të vijë nga artistë të njohur italianë, të cilët do të interpretojnë në skenën shqiptare, por jo vetëm në skenë, pasi do të ketë dhe vene të tjera ku do të shpalosen vlerat e kësaj kulture. Ky sezon i cili do të startojë
nesër në kryeqytet organizohet nga Ambasada Italiane në Tiranë, në bashkëpunim me shumë partnerë institucionale dhe private, italiane dhe shqiptare. Këto aktivitete kulturore vijnë nën titullin Italia dhe Shqipëria 2010-dy Popuj, një Det, një Miqësi, dhe nga organizatorët bëhet e ditur se kjo do të jetë një stinë e madhe evenimentesh, e cila ka për qëllim të theksojë raportin e mrekullueshëm ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë si dhe ndërmjet italianëve dhe shqiptarëve. Ndërkohë që edhe para një viti janë zhvilluar aktivitete të cilat kanë përcjellë vlerat më të mira të kësaj kulture. Kështu në organizmin e veprimtarive të ndryshme kulturore që u zhvilluan në vendin tonë para një viti ishte dhe aktiviteti që u bë për nder të poetit të njohur italian Pier Paolo Pasolini. E ndërkohë që veprimtaritë gjatë këtij sezonin pranveror përmbajnë 25 koncerte dhe spektakle, 5 prezantime me prodhime të ndryshme kinematografike,10 ekspozita fotografie, 28 konferenca, 5 manifestime sportive, 7 iniciativa në sektorin e ekonomisë dhe tregtisë, 6 aktivitete në fushën e arsimit dhe 5 konkurse me tematika të ndryshme. Hapja e evenimenteve do të bëhet më 14 mars në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, dhe i është besuar kompanisë italiane të kërcimit akrobatik Kataclo. Ndërsa opera Rigoletto Giuseppe Verdit do të vijë me 20 mars, ku do të jetë drama e thellë e pasionit dhe e dashurisë, tradhtisë dhe e hakmarrjes. Koncerti violinistit të famshëm Uto Ughi 8 prill, do të inaugurojnë stinën stimuluese të koncerteve. Ndërmjet ekspozitave që do të organizohen do të jenë ato të artit klasik dhe bashkëkohor në titullin Classici Splendori dhe Atmosfere del 900 (21 prill-18 maj), me 80 vepra nga me prestigjiozët të koleksioneve të pikturës italiane (Cala Ghironda); regjisori Giuseppe Tornatore (Nuovo Cinema Paradiso, Baaria), do të jetë i ftuar special në një prezantim kinematografik të rëndësishëm 28 prill- 2 maj. Nga 22 deri në 25 prill, në përputhje dhe me Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit, do të mbahet Salloni i Librit italian dhe shqiptar, ku në qendër të Tiranës do të krijohen hapësira të posaçme të gjitha dedikuar veprave letrare që shprehin lidhjen kulturore ndërmjet dy vendeve. Italia dhe Shqipëria 2010-dy Popuj, një Det, një Miqësi, do të jetë mbi të gjitha një mundësi për të diskutuar dhe reflektuar mbi tematika të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë: bashkë me politikanë dhe intelektualë të spikatur do të flitet për infrastrukturën dhe Europën; e një rëndësie të veçantë do të jetë konferenca ndërkombëtare dedikuar Korridorit VIII (29 30 prill), i cili do të kontribuojë për të afruar Ballkanin Perëndimor me vendet e BE-së si dhe konferenca mbi fondet europiane (IPA) për të përshpejtuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian 19 maj. Kooperacioni për Zhvillim i Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, që këtë vit mbush 20 vjet aktivitet në Shqipëri, do të jetë protagonisti i muajit prill: konferenca, seminare, tavolina të rrumbullakëta dhe ekspozita do të jenë pjesë e kësaj përkujtimoreje. Gjithashtu, konkursi mbi aktivitetin e Kooperacionit për Zhvillim në Shqipëri do të vlerësojë me çmime reportazhin dhe artikullin gazetaresk më të mirë. Ndërkohë që në vendin tonë Instituti Italian i Kulturës gjatë tërë vitit organizon veprimtari të ndryshme kulturore. Ky institut ka si qëllim të promovojë dhe të përhapë gjuhën dhe kulturën italiane në Shqipëri nëpërmjet organizimit të aktiviteteve kulturore për të ndihmuar shkëmbimin e ideve, arteve dhe shkencës. Të pranishëm në qytetet kryesore të pesë kontinenteve, 90 Institutet Italiane të Kulturës aktualisht operues janë një vend ideal takimi dhe dialogu për intelektualët, artistët dhe operues të tjerë kulturor, por edhe për qytetarët e thjeshtë, italianë apo të huaj, të cilët dëshirojnë të kenë ose të ruajnë një raport me Italinë. Mbështetës të aktivitetit të kryer nga Ambasadat dhe nga Konsullatat, Institutet Italiane të Kulturës evidencojnë instrumentet më të përshtatshëm për promovimin e imazhit të Italisë si qendër krijimi, ruajtjeje dhe përhapjeje të kulturës nga epoka klasike deri në ditët tona, përveç organizimit të aktiviteteve kulturore në sektorë të ndryshëm (art, muzikë, kinema, teatër, balet, modë, fotografi, letërsi, botime,) etj.
Nga Julia Vrapi