Regjisorja iraniane, një film mbi “Pallatin e Ëndrrave”
Alma Mile
Ndonëse kanë kaluar vite që kur Ismail Kadare shkroi një prej romaneve të tij më të bujshëm, duket se ka mbetur ende në këmbë diku një pallat ëndrrash. Regjisorja iraniane, Shirin Neshat, e ka ndier të afërt historinë me ëndrra e qorrfermanë, ka parë paralelen me historinë e vendit të saj dhe ka vendosur të bëjë një film. Një film mbi romanin “Pallati i ëndrrave” i Ismail Kadaresë, përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe konsideruar si një nga veprat e tij më të mira dhe më të guximshme.
Filmi
Regjisorja iraniane ndoshta nuk di shumë gjëra mbi atë çka ndodhi në Shqipëri për afro 50 vjet. Ajo nuk e ka parë pallatin shqiptar të ëndrrave, por historia plot mister nuk e ka lënë indiferente. Shirin Neshat, regjisorja iraniane, e cila një vit më parë fitoi “Luanin e argjendtë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia me filmin “Women without men”, ka vendosur të realizojë një film mbi një prej romaneve më të njohura të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, “Pallati i ëndrrave”. E bërë e njohur me filmin e saj të fundit, Shirin Neshat ka rrëfyer për mediat e projektin e saj të radhës. “Më ka ngjallur një interes të veçantë një tjetër roman i shkruar nga shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, titulluar “Pallati i ëndrrave”. Ky film do të realizohet në gjuhën angleze dhe xhirimet do të kryhen më së shumti në Evropën Lindore. Ndonëse ky roman sureal nuk lidhet drejtpërdrejtë me Iranin, është një alegori që lidhet me Iranin, sa i përket mënyrës se si ‘partia në pushtet’, ‘shteti’ përpiqet të kontrollojë imagjinatën e njerëzve, madje edhe ëndrrat e tyre”, tregon regjisorja, e cila ka nisur punën për realizimin e këtij filmi. “Shoh se aty ka shumë rrugë për të eksploruar, absurditeti, rrethi vicioz, që na kërcënon edhe sot. Te ‘Pallati i ëndrrave’ unë shoh një paralele të bukur mes historisë së errët shqiptare, luftën kundër komunizmit dhe çështjes iraniane me revolucionin islamik”, shton regjisorja, gjithnjë e interesuar për temat e forta. Shirin Neshat lindi në Iran në vitin 1937, largohet nga vendlindja për të studiuar art në Los Anxheles e më tej në San Fracisko, ku studion në një kolegj dominikan. Në Iran rikthehet në vitin 1990, ku fillon të merret seriozisht me artin. Ajo nisi një seri punësh, të titulluar “Women of Allah” (“Gratë e Allahut”), të cilat i referoheshin kodeve sociale, kulturore dhe fetare në vendin e saj, sidomos në raportin mes femrave dhe meshkujve. Më tej ajo vijoi me realizimin e filmave me metrazh të shkurtër, gjithnjë mbi tema sociale. Punët e saj morën karakter ndërkombëtar në vitin 1999, kur ajo fiton një çmim në edicionin e 53-të të Bienales së Venecias. Ndonëse jeton në Nju Jork, puna e regjisores fokusohet në vendin e saj të lindjes. Në punët e saj të para ndihet kultura, e kaluara, dhimbja e largimit, në një kohë që mban një pozicion asnjanës kundrejt islamit. Por kur regjimi islamik në Iran filloi të bëhet shtypës, veprat e saj morën karakter më të hapur politik dhe më kritik. Kulmin në karrierën e saj e arriti një vit më parë me filmin “Gra pa burra”, me të cilin fitoi një nga çmimet më të mëdha në festivalin e rëndësishëm të Venecias.
Romani
ç’të jenë vallë tri dhelpra të bardha në minaren e një xhamie, po një mace e zezë me gjysmë hëne në gojë, ç’kumt sjell? është koha e marrive. Gjithçka dhe kurdo është e survejuar. Madje edhe ëndrrat. Një industri e tërë është ngritur në këmbë për të mbledhur, seleksionuar dhe interpretuar ëndrrat. Pas tyre fshihen gjithfarë dëshirash të errëta, pse jo edhe grushte shteti... Kur romani “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” u botua për herë të parë, u dha menjëherë urdhër për ndalimin e tij. Alegoria e përdorur nga shkrimtari Ismail Kadare ishte e qartë. Nuk kishte kurrfarë pallati ëndrrash në Stamboll. Përshkrimi që i bëhej këtij institucioni misterioz të sillte menjëherë në mendje Ndërtesën e Komitetit Qendror të Partisë në Tiranë, me labirintet dhe mendjet e mbrapshta që punonin aty për të sajuar gjithfarë puçesh e planesh të dyshimta. Në një nga faqet e romanit shkruhet: “Zgjodhi ato fletë që i kishin tekste më të shkurtra dhe, pa e parë fare adresuesin, lexoi njërën prej tyre: “Një mace e zezë kishte kapur në gojë hënën dhe po vraponte e ndjekur nga turma. Gjithë udhës nga ikte, dukeshin gjurmët e hënës së plagosur”. “Ja, kjo ishte vërtet një ëndërr që ia vlente barra qiranë të merreshe me të. Para se ta kalonte te të vlefshmet, Ebu Qerimi e lexoi edhe një herë. Ishte vërtet një ëndërr serioze, me të cilën kishte qejf të merreshe. Ebu Qerimi mendoi se, sidoqoftë, puna e interpretuesve, pavarësisht se ishte tepër e vështirë dhe delikate, ishte e këndshme, sidomos kur kishe të bëje me ëndrra të tilla. Atij vetë, megjithëse i lodhur, i lindi dëshira të interpretonte ëndrrën. Madje kjo gjë s’iu duk aspak e zorshme. Përderisa hëna ishte simbol i shtetit e i fesë, kuptohet që macja e zezë ishte një forcë armiqësore, që vepronte kundër tyre. Një ëndërr e tillë i ka të gjitha shanset për t’u shpallur kryeëndërr, mendoi Ebu Qerimi. Ai shikoi adresuesin. Ishte nga një qytet i largët, i krahut evropian të shtetit. Andej edhe ëndrrat vijnë më të bukura, - mendoi Ebu Qerimi. Ai e lexoi atë për të tretën herë dhe iu duk akoma më e bukur dhe me kuptim. Një gjë e mirë ishte se ëndrra, veç të tjerash, kishte edhe turmën, e cila me siguri do ta arrinte macen e zezë për t’ia shkëputur hënën prej dhëmbëve”.
çudia që shoqëroi aso kohe botimin, vazhdon të jetë edhe sot. Si e gjeti guximin shkrimtari për të shkruar një libër të tillë, në mes të diktaturës?