Zemërimi i Çim Muçës: Dinamo punon nën rrogoz
Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, teksa dje ka nisur të përgatisë skuadrën për ndeshjen e radhës, ndaj Vllaznisë, vazhdon të bëjë të paditurin për ardhjen e argjentinasit Blanko. Sipas tij, gjithçka në ambjentin e skuadrës kryesuese është shumë e qetë. “Unë nuk di asgjë. Jam në stërvitje, vazhdoj të përgatis skuadrën për ndeshjen e radhës në Kampionat. Nuk kam asnjë kontakt me drejtuesit e klubit për këtë çështje. Jam i qetë dhe pres të marr frytet e punës sime dhe të realizoj objektivat që ka vënë klubi, teksa kërkohej titulli Kampion. Pastaj të shohim”, ka theksuar Muça, i cili nuk është shumë i kënaqur që është duke punuar nën rrogoz, teksa ai është ende nën kontratë me dinamovitët. “është pak subjektive dhe varet se si e kuptojnë të tjerët këtë gjë. është në dëshirën e të tjerëve për të vepruar kështu. Po të isha unë, nuk do ta bëja këtë veprim sepse përderisa je nën kontratë me një person, do të prisja të përfundonte kontrata e tij. Ka shumë mënyra për të bërë një punë. Por kjo ka të bëjë me personat, sepse secili e bën punën ashtu si e mendon ai”. Dhe e gjithë kjo periudhë, të paktën dhe me çfarë ka pohuar Muça, nuk do të jetë aspak koha për të nisur të bëjë përçapje për të gjetur një ekip tjetër, sepse: “Unë derisa të mbarojë kampionati jam i fokusuar te skuadra. Respektoj punën time, respektoj drejtuesit. Por natyrisht që më pas pres që klubi të flasë me mua. Nuk quaj asgjë reale pa folur drejtuesit e klubit me mua. Gjithçka e kam lexuar në gazetë. Në mbarim të Kampionatit, kur drejtuesit e klubit të më japin dorën për të zgjidhur të ardhmen, atëherë mund ta quaj normale. Por tani s’janë gjëra reale”. Ndërkaq Muça, edhe nëse do të ndodh, nuk ka aspak frikë nga një takim me argjentinasin Blanko, teksa ka pohuar: “”Unë jam në punë dhe nuk marrë udhëzime nga askush për punën time. çdo person e ka të hapur derën për të ardhur dhe unë nuk kam frikë të takoj askënd”, ka pohuar ai.