Regjistër elektronik për përfituesit
Përfituesit e ndihmës ekonomike do të jenë të gjithë në një regjistër elektronik, procedurë kjo që pritet të ulë numrin e abuzuesve. Në njësitë e qeverisjes vendore, në të cilat do të kryhet pilotimi i regjistrit elektronik kombëtar, do të zbatohet procedura si më poshtë vijon: kërkesa për të përfituar ndihmën ekonomike bëhet me shkrim nga kryetari i familjes/individët në nevojë dhe firmoset nga të gjithë anëtarët madhorë të saj, duke deklaruar edhe personin madhor që do të administrojë paratë. Aplikantët paraqesin dokumentacionin e nevojshëm tek administratori shoqëror, pranë njësisë së qeverisjes vendore, i cili hedh në regjistrin elektronik kombëtar të dhënat e paraqitura me dokumentacion. Kërkesa dhe dokumentacioni për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar paraqiten tek administratori shoqëror, pranë njësisë së qeverisjes vendore, i cili hedh në regjistrin kombëtar elektronik të dhënat e paraqitura me dokumentacion. Kërkesa dhe dokumentacioni për të përfituar shërbime të përkujdesit shoqëror paraqiten tek administratori shoqëror, pranë njësisë së qeverisjes vendore, i cili hedh në regjistrin kombëtar elektronik të dhënat e paraqitura me dokumentacion. Administratori shoqëror, pas hedhjes të së dhënave, ka për detyrë: të identifikojë familjet/ individët që kanë nevojë për ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar; të verifikojë gjendjen shoqërore e ekonomike të familjeve/ individëve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë, si dhe dy herë në vit të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike; të propozojë në këshillin e bashkisë/komunës familjet/ individët në nevojë, për të përfituar ndihmë ekonomike; të llogarisë dhe të përcaktojë masën e ndihmës ekonomike që përfiton familja; të ndihmojë në përgatitjen e dokumentacionit personat që aplikojnë për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar etj.
.