Ndihma ekonomike, ndryshojnë kriteret e përfitimit
Për herë të parë parashikohet që ndihma ekonomike të mos jetë vetëm një pagesë në lekë, por edhe mbështetje ushqimore ose veshmbathje. Pagesë shtesë për familjet përfituese që dërgojnë fëmijët në shkollë
Ndryshojnë kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratuan ndryshimet në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të cilat i hapin rrugën reformimit të skemës së ndihmës ekonomike me qëllim zhdukjen e varfërisë ekstreme deri më 2012. Ndryshimet ligjore parashikojnë përfshirjen e grupeve të reja përfituese të ndihmës, kushtëzimin e të drejtës së përfitimit të ndihmës ekonomike me punë dhe shërbime si dhe përcaktimin e kritereve që bazohen në një sistem vlerësimi të bazuar në nevoja. Po ashtu, për herë të parë parashikohet që ndihma ekonomike është jo vetëm një pagesë në lekë, por edhe përfitim mujor në natyrë. “Përfitime në natyrë” është mbështetja në mallra ushqimore dhe të përdorimit të përditshëm e në veshmbathje, që u jepen familjeve dhe individëve në nevojë. Sipas ndryshimeve të reja, kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike do të bazohen në një sistem vlerësimi të mbështetur në nevoja, duke pasur parasysh përbërjen e familjes, burimet e të ardhurave si përfitimet e mbrojtjes sociale, të ardhurat e mundshme nga kapitali si: toka, bagëtia dhe variableve të tjera të veçanta social-ekonomike që lidhen me statusin e varfërisë. “Ndihma ekonomike është një pagesë e përkohshme, e kufizuar në kohë dhe e kushtëzuar, që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, për kategoritë e përcaktuara. Kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike do të vlerësohen sipas nevojave dhe do të mbajnë parasysh variable, për gjendjen e varfërisë, të përcaktuar bashkërisht duke përdorur pesha të qarta, objektive dhe transparente, si pjesë e një formule të pikëzuar. Kriteret, detajet e formulës dhe procedurat për përcaktimin e përfitimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, - thuhet në vendim. Po ashtu, në të përcaktohet që kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike, sipas një formule të pikëzuar, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe përdorimi i regjistrit elektronik kombëtar të të dhënave për aplikuesit dhe përfituesit e ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe të shërbimeve të përkujdesit shoqëror, do të pilotohen për një periudhë 2-vjeçare në njësitë e qeverisjes vendore, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, pas përcaktimit të formulës së pikëzimit dhe ngritjes së regjistrit elektronik kombëtar. Sipas Ministrisë së Punës, në praktikë ka lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve si përfitues të ndihmës ekonomike. Projektligji parashikon si kategori të re përfituesish të ndihmës ekonomike viktimat e dhunës në familje dhe jetimët që nuk janë në institucione. Duke vlerësuar faktin që deri tani skema e ndihmës ekonomike është financuar me fondet e buxhetit të shtetit, si dhe duke parë përvojat e vendeve të tjera, është propozuar që ndihma ekonomike të kushtëzohet me pjesëmarrjen në punë apo shërbime, të cilat kontribuojnë në targetimin më të mirë të individëve në nevojë, mbulim me të ardhura më të larta për familjen, përfitimin e komunitetit ku ofrohen këto punë apo shërbime, reduktimin e nivelit të varfërisë dhe realizimi i kthimit të skemës së ndihmës nga skemë pasive në një skemë aktive. Ndryshimet parashikojnë mbështetjen me pagesë shtesë mbi atë të parashikuar për strukturën e familjes, për fëmijët e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, të cilët ndjekin arsimin e detyrueshëm, duke pasur parasysh që të inkurajojë familjet përfituese për të dërguar fëmijët në shkollë, këto familje duhet të stimulohen për ta bërë këtë gjë. Projektligji i ri ka parashikuar edhe mbështetjen e atyre familjeve ku bashkëshortët janë në proces zgjidhje martese, duke u garantuar mbështetje me ndihmë ekonomike. Deri tani këto raste nuk mbështeteshin nga ky program. Numri i rasteve, sipas një vrojtimi, është 500 në vit. Me këtë përmirësim, do të ketë dy masa të llogaritjes së ndihmës ekonomike, pasi të dy bashkëshortët do të marrin rolin e kryefamiljarit. Në masën që do të përfitojë secili do të llogariten edhe personat që ata kanë praktikisht në ngarkim.
Kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike do të përcaktohen sipas një formule të pikëzuar, ndërsa do të përdoret regjistri elektronik kombëtar i të dhënave për aplikuesit dhe përfituesit e saj
Kërkesa për ndihmë
Kërkesa për të përfituar ndihmë ekonomike do të bëhet me shkrim nga kryetari i familjes.
Nga secili prej bashkëshortëve, në rastet kur ata janë në proces zgjidhjeje martese dhe nuk ka ende vendim gjykate të formës së prerë.
Kërkesa nënshkruhet edhe nga të gjithë anëtarët madhorë të saj, duke deklaruar edhe personin madhor që do të administrojë paratë.
Aplikantët paraqesin dokumentacionin e nevojshëm tek administratori shoqëror pranë njësisë së qeverisjes vendore.
Përfituesit e ndihmës
Familjet në nevojë
Jetimët, të cilët nuk janë në institucione
Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë
Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në momentin e punësimit të tyre
Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes
Familjet që përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave
Disa kategori përfituese të ndihmës ekonomike do të përjashtohen nga llogaritja e atyre pak të ardhurave që kanë, për shkak të rrethanave familjare ku jetojnë. Kështu, do të përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, familjet në nevojë kur:
Nuk kanë kryefamiljarë, për arsye të vdekjes të së dy prindërve, të cilët kanë pasur fëmijët në ngarkim
Njëri prej prindërve është duke vuajtur dënimin me burgim, për vepra penale me vendim gjykate, të formës së prerë, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton, të cilët kanë pasur fëmijët në ngarkim
Njërit prind i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton, në gjendjen familjare të të cilit ka fëmijë
Kanë si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara, fizike e mendore, i verbër, paraplegjik /tetraplegjik ose invalid pune, dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij janë fëmijë ose persona mbi moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension
Kanë si kryefamiljar nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë fëmijë ose persona mbi moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension Kanë si kryefamiljar një pjesëtar të familjes që është mbi moshë pune dhe, kur anëtarët e familjes së tij janë fëmijë dhe persona mbi moshë pune, pavarësisht nga të ardhurat, nga pensioni apo toka
Janë familje të mbyllura në shtëpi, si pasojë e gjakmarrjes
Janë familje që i përkasin minoritetit rom
Janë familje nën nivelin e varfërisë, sipas listës së përcaktuar në aktet nënligjore përkatëse