E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistri civil, Nishani: Shmang manipulimet

Sot Shqipëria ka të dhënat më të detajuara dhe korrekte për çdo shtetas të saj. Ka një regjistër kombëtar civil pa dublikime, një regjistër i cili nuk lë shteg për manipulime. Ka qenë kjo garancia e dhënë nga ministri i Brendshëm Nishani. 

TIRANE- Regjistri i ri kombëtar i gjendjes civile nuk lë shteg për manipulime në zgjedhje, është një bazë e sigurt për lista zgjedhore të sakta dhe për dokumentet e reja të identitetit. Kjo ka qenë garancia e dhënë nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e përfundimit të ndërtimit të regjistrit elektronik kombëtar të gjendjes civile.

“Është finalizuar realizimi i një projekti të përbashkët midis qeverisë shqiptare dhe asaj Austriake për realizimin e regjistrit të ri elektronik i gjendjeve civile të shtetasve shqiptarë”- tha ministri i Brendshëm Nishani.

Më tej Nishani shtoi se ky regjistër përbën një burim të sigurt dhe korrekt për një sërë shërbimesh “një regjistër i pastruar nga dublikimet, i cili përbën një bazë të sigurt për prodhimin e dokumentave të reja të identitetit. Ky regjistër përbën një burim të sigurtë për gjenerimin e listave të zgjedhësve shqiptarë” theksoi Nishani.

Për zëvendëskryeministrin Genc Pollo, me këtë regjistër të ri kombëtar civil modern Shqipëria bëhet realisht pjesë e një periudhe moderne të duhur për shek 21.

Për ambasadorin austriak në Tiranë, Klaus Derkowitsch, ky regjistër i gjendjes civile është një ndër më të sofistikuarit dhe modernët në botë. Sipas diplomatit austriak Derkowitsch, qeveria e të cilit është edhe partnerja kryesore e këtij procesi, regjistri civil ka standardet më të mira Evropiane. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›