E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistri i Kredive me 540.000 kredi te raportuara ne total 260.000 jane aktive

Viti 2010 mund të cilësohet si një vit i suksesshëm dhe i larmishëm për ecurinë e funksionimit të Regjistrit të Kredive në Bankën e Shqipërisë.

Në fund të vitit, në një kohë kur shënohen tre vite të operimit të tij, janë raportuar të dhënat e pothuajse të gjithë kredimarrësve në Republikën e Shqipërisë.

Bilanci më i fundit numëron rreth 540.000 kredi të raportuara në total, nga të cilat rreth 260.000 janë kredi aktive dhe pjesa tjetër të mbyllura përgjatë këtyre tre viteve.

Sipas Bankës së Shqipërisë, të pasurit e një informacioni shtesë dhe të besueshëm qoftë pozitiv apo negativ për klientët, është një element mjaft i rëndësishëm në procesin e vendimmarrjes për një kredi të caktuar.

Kjo shërben gjithashtu edhe për vlerësimin e perfomancës e vendimarrjes përgjatë kohëzgjatjes së kredisë. Ky informacion, po përdoret çdo ditë e më shumë nga raportuesit e të dhënave dhe po i shërben atyre në vendimmarrje.

Të dhënat mbi numrin e kërkimeve tregojnë një rritje të përdorimit të informacionit të Regjistrit të Kredive nga viti në vit.

Gjatë vitit 2010 evidentohet rritje e kredidhënies prej 40.9 miliardë lekë ose me rreth 9.1 për qind.

Në fund të vitit 2010, analiza sipas subjektit dhe qëllimit të përdorimit të kredisë evidenton peshën më të madhe të kredisë “overdraft” për bizneset me rreth 22.9 për qind, pasuar nga kredia për “investime për pasuri të paluajtshme” për individë me rreth 21.2 për qind dhe nga kredia për “investime në blerje pajisjesh”, dhënë bizneseve në masën 18.6 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›