Banda e Lushnjës nuk do ta pyesë deputetin
Anëtarët e Bandës së Lushnjës, të hetuar e gjykuar për disa krime monstruoze përgjatë viteve 1997-2005, kanë hequr dorë nga pyetja e deputetit të Partisë Demokratike, Ilir Bano. Deputeti është përmendur nga disa dëshmitarë të thirrur prej organit të akuzës. Ata kanë deklaruar se e kishin parë të sipërcituarin duke biseduar me anëtarët e bandës në “komisariatin e policisë numër 2” në Lushnjë.
Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, avokatët e të pandehurve kanë deklaruar se “heqim dorë nga pyetja e dhjetëra dëshmitarëve”, duke lënë të kuptohet se kanë hequr dorë edhe nga pyetja e Banos. Avokatët deklaruan se kërkojnë si dëshmitarë disa oficerë të policisë gjyqësore, që kanë “kopsitur” dosjen ndaj të pandehurve të Bandës së Lushnjës. Zigur Bizhga dhe Bujar Hoxha janë përmendur dje nga avokatët e anëtarëve të Bandës së Lushnjës si persona që do të thirren për dëshmi, pasi sipas avokatëve, kanë dijeni për shumë episode dhe mund t’i ndihmojnë për të shpallur të pafajshëm klientët e tyre. Avokatët kanë pretenduar se akuzat ndaj klientëve të tyre do të rrëzohen, pasi nuk disponohen prova për ta. Megjithatë, ajo çka ra në sy ishin provat e pakta që të pandehurit paraqitën për mbrojtje, si dhe lista e shkurtër e dëshmitarëve, e përbërë vetëm nga tre emra, të gjithë punonjës të policisë.
Në lidhje me pyetjen e Banos, avokatët deklaruan se episodi ku është parë deputeti në komisariat, i përmendur nga një dëshmitar, nuk është objekt gjykimi dhe mbrojtja nuk ka arsye ta pyesë për detaje.
Disa javë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda mori një vendim të ndërmjetëm, pas kërkesës së avokatëve mbrojtës të të pandehurve, për të thirrur si dëshmitar në procesin e bandës së Aldo Bares deputetin e PD-së, Ilir Bano. Deputeti do të jepte shpjegime lidhur me atë çfarë ka diskutuar me të pandehurin Ilir Stërgu në vitin 1998, në “komisariatin” e Aldo Bares. Në një seancë gjyqësore, dëshmitari Pëllumb Meçe, vëllai i Viktor Meçes, i cili kishte konflikt me Bandën e Lushnjës për tenderin e pastrimit të qytetit, ka deklaruar se është marrë forcërisht nga disa anëtarë të bandës. Më pas ai është shoqëruar te “zyra” e Bandës së Lushnjës. Në këtë ambient ai ka parë Ylli Setën, ish-kryetar i Partisë Demokratike të Lushnjës, dhe Ilir Banon, deputet në Kuvendin e Shqipërisë. “Kam dëgjuar se Ilir Stërgu u kërkonte dy të pranishmëve se pse nuk flisnin mirë për bandën. Më pas anëtari i Bandës së Lushnjës i tha se banda është sjellë mirë dhe gjatë krijimit të ‘komisariatit’ në qytet nuk ka pasur ngjarje të rënda. Asnjë vajzë nuk është marrë për t’u trafikuar”, mësohet se ka deklaruar dëshmitari Pëllumb Meçe.
Pas kësaj dëshmie, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të thërrasë si dëshmitar në proces deputetin e PD-së, Ilir Bano. Kërkesa për thirrjen e Banos u bë nga avokati i të pandehurit Ilir Stërgu, Vladimir Meçi. Qytetari tha se kishte dëgjuar që Stërgu i kërkonte deputetit t’i nxirrte në gazeta dhe televizione se ishin mbrojtësit e rendit dhe qetësisë në Lushnjë, gjatë trazirave të vitit 1997.
Trupi gjykues mori parasysh kërkesat e palës mbrojtëse që Bano të dalë të dëshmojë në gjyq. Megjithatë, në momentin që gjykata u kërkoi dje avokatëve të jepnin informacione rreth dëshmitarëve, avokatët janë tërhequr nga kërkesa e parë për pyetjen e deputetit Ilir Bano, i cili duhet të dëshmonte lidhur me atë çfarë ka diskutuar me Stërgun. Të pandehur në këtë proces janë: Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stërgu, Agur Musaku, Erion Cici, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale të kryera vite më parë në Lushnjë, mes tyre edhe vrasje, në kuadër të organizatës kriminale. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 4 maj të vitit të kaluar, por për një vit me radhë gjykata ka shtyrë seancat për arsye të mungesës së avokatëve, si dhe preferencave të të pandehurve për trupin gjykues, që është ndryshuar disa herë. Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i cili është në proces gjykimi në këtë gjykatë, pasi u ekstradua nga Turqia disa kohë më parë. Anëtarët e kësaj bande janë arrestuar në operacione policore të organizuara këto tre vitet e fundit nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me prokurorinë.
#