E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimet në Universite, nga e hëna plotësohen vendet bosh

Kuotat e mbetura bosh në fakultete për vitin e ri akademik 2009-2010, do të nisin te plotesohen javën tjetër. Humbesit do paraqiten pranë drejtorive arsimore të rrethit të tyre, në datat që do të publikohen pas disa ditësh 

TIRANE - Procedurat e aplikimit për përzgjedhjen e studentëve fitues të fazës së tretë, të cilët do të plotësojnë kuotat e mbetura bosh në fakultete për vitin e ri akademik 2009-2010, do të nisin javën tjetër.
Këto kuota, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, do të plotësohen nëpërmjet një rishpërndarjeje të re fituesish, që do të përcaktohet nga renditja e re e preferencave. Kështu, kandidatët humbës do të paraqiten pranë drejtorive arsimore të rrethit të tyre, në datat që do të publikohen pas disa ditësh, ku do të tërheqin formularin A-3 të preferencave.
Në këtë formular ata do të listojnë edhe një herë, nga e para preferencat e tyre, çka u jep dhe një shans për të mos humbur vitin akademik. Formulari i ri i preferencave do të përmbajë një renditje të re degësh, e kombinuar kjo në bazë të kuotave të mbetura bosh për secilin prej fakulteteve.
Procedura e aplikimit përcakton që këtë formular do ta plotësojnë vetëm ata kandidatë që kanë dhënë të katër provimet e Maturës Shtetërore, por që më rezultatin e tyre nuk arritën që të klasifikohen fitues në asnjërën prej fazave të pranimit.
Deri tani rezulton se universitetet e rretheve kanë numrin më të lartë të kuotave të parealizuara, ndërsa në degët universitare të Tiranës janë evidentuar rreth 182 kuota të paplotësuara.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›