Regjistrimi i bizneseve, thjesht dhe lirë

Për regjistrimin e një biznesi ne Kosovë, mjafton mbushja e një aplikacioni dhe pagesa prej shtatë eurosh. Këto procedura të thjeshta, për zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, kanë edhe anët negative. Përveç që regjistrohen shumë ndërmarrje, shumica prej tyre nuk e zhvillojnë veprimtarinë dhe nuk paguajnë tatim.
Mehdi Plashniku, udhëheqës i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në MTI, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se procedurat për krijimin e një biznesi janë më të favorshmet në rajon. “Pala vjen dhe e merr aplikacionin, me vete duhet të sjellë edhe një fletë-poseduese, ose një kopje të planit ku e ka selinë e biznesit.”, tha Pllashniku.
Kështu, regjistrimi individual i biznesit mund të bëhet brenda ditës, ndërsa regjistrimi i shoqërive me pronësi të kufizuar mund të bëhet brenda një jave. Për biznes individual, përveç dokumenteve të nevojshme, pala duhet të paguajë shumën prej shtatë eurosh, ndërkaq kompanitë e huaja duhet të paguajnë 22 euro.
Më këto procedura, Kaspi Shakar, nga Izraeli, ka regjistruar tri biznese të llojeve të ndryshme në Kosovë. Ai i quan efikase këto procedura, dhe thotë se për ata që duan të punojnë tregu kosovar është në nivel të kënaqshëm.
“Fatmirësisht, kam partnerë që janë shumë më të mirë se unë dhe sigurojnë që çdo gjë të jetë në rregull”, tha Shakar.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve janë të regjistruara mbi 97 mijë biznese vendore dhe ndërkombëtare, shumica prej të cilave janë ndërmarrje individuale. Prej tyre 40 mijë janë aktive.
Edhe për Besim Krasniqin, nga Qendra për Përkrahjen e Bizneseve në Kosovë, procedurat për krijimin e një biznesi janë të lehta, megjithatë ai thotë se edhe në ketë drejtim ka probleme, të cilat duhet të përmirësohen.
“Çka e bën të vështirë themelimin e biznesit, janë plotësimi i disa rregullave shtesë. Kjo pjesë çalon pak”, tha Krasniqi.
Procedurat e thjeshta thotë ai kanë ndikuar që shumë persona të regjistrojnë biznese, të cilat asnjëherë nuk aktivizohen. Gjithashtu edhe hendeku midis bizneseve të regjistruara dhe atyre që paguajnë tatim është tepër i madh.
Në raportin e fundit Banka Botërore, e pozicionon Kosovën nder ato vende ku ambienti biznesor nuk është shumë i favorshëm. Përveç burokracisë në regjistrim dhe procedura të stërzgjatura, BB-ja ka kritikuar edhe për korrupsion.