E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRIZA/Guvernatorët mblidhen në Vjenë, diskutojnë pasojat

Sfidat me të cilat përballen bankat qendrore aktualisht në kushtet e paskrizës financiare globale, si dhe shmangia e pasojave të kësaj situate, ishin temat kryesore që u diskutuan në Forumin e 15-të të Evropës Qendrore dhe Lindore, i cili u zhvillua këto ditë në Vjenë të Austrisë. Banka e Shqipërisë bëri të ditur përmes një njoftimi për shtyp se "ky forum i përvitshëm mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi, figura të njohura të fushës politike, ekonomike dhe financiare të Evropës Qendrore dhe Lindore". I vlerësuar si aktiviteti më i rëndësishëm bankar, forumi ishte konceptuar në formën e paneleve, ku një rëndësi të veçantë kishte edhe paneli i guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve joanëtare të Bashkimit Evropian. Sipas BSH-së, tema kryesore e diskutimit në forum ishte ngadalësimi global ekonomik që erdhi si pasojë e krizës ndërkombëtare, stabiliteti i monedhës së vendeve të rajonit, si dhe sfidat në të ardhmen. Fokus i veçantë, nënvizon BSH-ja, iu dedikua identifikimit të rreziqeve potenciale, rritjen e kreditimit për ekonominë, harmonizimit të politikës monetare me politikën fiskale, efektet që ka shkaktuar ngadalësimi global i rritjes ekonomike në ekonomitë e rajonit dhe aktivitetin e sistemit bankar, strategjitë e daljes nga politikat emergjente dhe shmangien e efekteve negative të tyre në ekonomi etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›