Veç energjisë, shtrenjtohet dhe gazi
Qytetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë mënyra alternative për të zëvendësuar energjinë elektrike. Pasi kostoja e gjithë produkteve të tjerë që mund ta zëvendësojnë atë është rritur. Duke nisur nga 1 janar 2010, çmimi i energjisë është rritur me 13 për qind. Ky fakt ka nxitur konsumatorët të jenë më të kursyer në përdorimin e energjisë dhe kështu e kanë zëvendësuar atë me gazin, që e përdorin për gatim dhe njëkohësisht dhe për ngrohje. Por këtë ditë të ftohta kur konsumi i gazit është rritur nga familjet shqiptare, njëkohësisht ai është shoqëruar edhe më rritje të çmimit të tij. Gazi i lëngshëm është shtrenjtuar me rreth 30 për qind në tregjet e shitjes me pakicë. Një bombul 10 kg shitet deri ne 1.300 lekë nga 1.000 apo 1.100 lekë që ka qenë rreth një muaj më parë. Vetë importuesit e mëdhenj të gazit pranojnë se çmimi i shitjes me shumicë është rritur mesatarisht 15-25 lekë për kg. Një arsye sipas importuesve është rritja e çmimit të gazit në tregjet ndërkombëtare. Por shkaktari kryesor në rritjen e çmimit të gazit në tregun vendas është bërë situata dominuese e krijuar në 2 stacionet e mëdha të depozitimit të gazit në Vlorë dhe në Porto-Romano në Durrës.