Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, me 29 pedagogë të rinj
Stafi pedagogjik i universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër do të shtohet me 29 pedagogë të rinj. Rektori i Universitetit, Artan Haxhi, pohon se këtë vit akademik, universiteti që ai drejton do të pranojë rreth 2500 studentë të rinj. Sipas tij, ky është numri më i lartë i studentëve të regjistruar në vitin e parë në krahasim me universitetet e tjera të Shqipërisë, pas atij të Tiranës. Ai sqaron se nga pedagogët e rinj, nëntë do të jenë në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, gjashtë në Shkencat Natyrore, gjashtë në Fakultetin Ekonomik, katër në Shkencat Shoqërore, dhe nga dy pedagogë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe në atë të Gazetarisë. Rektori i universitetit “Luigj Gurakuqi” bën të ditur se komisioni i ngritur për të zgjedhur pedagogët e rinj ka filluar depozitimin e kërkesave të kandidatëve që në korrik dhe se ky proces vazhdon deri më 9 shtator, kur do të bëhet dhe përcaktimi i kandidaturave fituese.
Të sëmurët mendorë në Vlorë, trajtim edhe në një shtëpi të veçantë
Të sëmurët mendorë në qytetin e Vlorës do të trajtohen në një shtëpi pritjeje të veçantë për ta. Konceptimi i një shtëpie të tillë për të sëmurët mendorë u realizua përmes një projekti të financuar nga rajoni i Puljas (Itali) dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD), me një vlerë të përgjithshme prej 93 mijë USD. Koordinatorja e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal (AULEDA), Mirela Duka, sqaron se konkretizimi i shtëpisë së pritjes, pjesë e projektit “Sipërmarrje sociale për të sëmurët mendorë-pacientë të spitalit neuropsikiatrik Vlorë”, synon integrimin në shoqëri të kësaj kategorie të të sëmurëve mendorë. Sipas saj, ai realizohet në kuadrin e nismës për politikat e reja të trajtimit të të sëmurëve të shëndetit mendor, duke synuar integrimin e tyre social përmes asistencës dhe aktiviteteve që zhvillohen në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor.
2 Shtator 2008