Banda e Lushnjës, Aldo Bare i “fal” kurorën e kapos Shkëlqim Haxhisë
TIRANË - I cilësuari si kreu i bandës së Lushnjës është acaruar në sallën e gjyqit duke kërkuar si dëshmitar Shkëlqim Haxhiajn. I pandehuri Aldo Bare ka hedhur poshtë shkresën e paraqitur dje nga trupi gjykues, ku bëhej me dije se shtetasi Shkëlqim Haxhia ndodhet në Greqi. Sipas të pandehurit, ky dëshmitar është parë para pak ditësh në vendlindjen e tij dhe shkresa, e hartuar nga shteti, është e rreme. Kreu i njërës prej bandave më famëkeqe e ka akuzuar dëshmitarin Haxhia si shkaktarin e gjithë ngjarjeve kriminale, si dhe e ka cilësuar si kreun e grupit që terrorizoi Lushnjën.
Revolta
Me tone revoltuese Aldo Bare e ka akuzuar gjykatën se ka krijuar një farsë mjaft qesharake. Ndërsa ka kërkuar që ky dëshmitar të sillet nga vetë prokuroria, e cila solli edhe Gramoz Selmanin. Sipas të pandehurit, është e padrejtë sjellja e Prokurorisë, e cila nuk e detyron Haxhiajn që të dëshmojë në sallën e gjyqit për akuzat. “Nuk është e vërtetë që ky dëshmitar është në Greqi. Më kanë ardhur informacione që para dy ditësh është parë në vendlindjen e tij. Ajo shkresë që ju keni në dorë është shkresë shteti dhe jo e vërtetë. Shkëlqim Haxhia është kapoja i bandës dhe shkaktari i të gjithave. Kjo e gjitha që ju po bëni është një lloj farse dhe po qeshin edhe çakejtë e maleve. Le ta sjellë shtetit këtë dëshmitar, siç dërgoi edhe Gramoz Selmanin. Mund të kem toleruar shumë dëshmitarë që nuk kanë ardhur, por jo Shkëlqim Haxhinë. Më irriton shumë fakti që ky dëshmitar nuk vjen, pasi ai ka qenë edhe okular në disa ngjarje. Nuk e toleroj mungesën e tij, le ta sjellë shteti”, - ka deklaruar dje Aldo Bare. Seanca e djeshme është shtyrë për mungesë të mbrojtësit të tij.
Haxhia
Shkëlqim Haxhia ka qenë një ndër dëshmitarët që ka akuzuar disa nga anëtarët e bandës së Lushnjës si autorët e djegies së banesës së tij dhe vrasjes së djalit. Dëshmitari është marrë në pyetje në gjyqin ndaj pjesës tjetër të bandës, ku gjatë gjithë seancës ka pasur replika mes dëshmitarit dhe të pandehurve.
Procesi i Qafë-Gjashtës, Miço “kyç” gojën
TIRANË - Ish-deputeti i PBDNJ-së, Thoma Miço, ka mohuar të ketë pasur dijeni në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Qafë-Gjashtë. Ish-deputeti minoritar u kërkua nga vetë të pandehurit për të dëshmuar rreth ngjarjeve të vitit 1997, për gjithçka kishte dijeni, si dhe për disa momente kur kanë qenë në kafene me disa nga personat e akuzuar. Gjatë deklarimeve të tij të dhëna para trupit gjykues të kryesuar nga Fran Prendi, Miço ka shpjeguar se ditën e ngjarjes ka qenë në lokal me Ristan Lapën dhe nuk ka pasur fare lidhje me ngjarjen. Sipas deklarimeve të tij, në momentin që ai është kthyer në Qafë-Gjashtë ka parë makinën e djegur dhe kishte shumë persona. Miço nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me vrasjen e policit Gjergji Mehmeti apo rrëmbimit të policit tjetër, Eduard Aliaj. Dëshmitari Miço foli vetëm rreth situatës në Sarandë në atë kohë, postblloqeve të shumta të ngritura.
Ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 4 mars të viti 1997, rreth orës 07:00. Viktima Gjergji Mehmeti, së bashku me shtetasit Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj, të gjithë efektiva të Komisariatit të Policisë Vlorë, me urdhër të ish–zv.ministrit të Brendshëm, njëkohësisht dhe drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Agim Shehu, janë nisur për në drejtim të qytetit të Sarandës, me qëllim ringritjen e Komisariatit të Policisë të këtij qyteti. Sapo kanë arritur në Sarandë kanë vajtur në komisariat, por kanë konstatuar se ka qenë i djegur plotësisht dhe rreth tij nuk ka pasur asnjë punonjës policie. Pas këtij momenti kanë komunikuar në telefon me zv.ministrin për situatën në të cilën ndodhej Komisariati i Policisë Sarandë, i cili nuk mundej që të riorganizohej dhe kanë vendosur që të largohen. Në momentin që kanë vajtur në vendin e quajtur “Qafa e gjashtës”, rreth 50 metra para pikës së karburantit të vëllezërve Vaso, janë gjendur përballë një sulmi me armë zjarri. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, punonjësit e policisë, Myzafer Blushi dhe Sokol Bizhga, kanë arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa punonjësi tjetër i policisë, Eduart Aliaj, nuk ka arritur që të largohet, por është kapur nga personat e armatosur, i cili është mbajtur peng dhe keqtrajtuar për disa ditë në qytetin e Sarandës. Më pas, personat e armatosur i kanë vënë flakën makinës, ku ndodhej trupi i punonjësit të policisë, Gjergji Mehmeti.
”
20 Janar 2011