E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi në Maqedoni pritet të zgjas një muaj

Nga Express më 04 tetor 2011 në ora 11:33

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni, i filluar më 1 tetor, pritet të zgjas deri në fund të këtij muaji.

Kjo bëhet e ditur nga burime pranë Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, të cilat theksojnë se brenda këtij komisioni ka disponim dhe gatishmëri për të vazhduar procesin e regjistrimit.

Arsyeja e shtyrjes së regjistrimit janë problemet teknike dhe organizative në terren.
Në rast se do të arrihet kompromisi final, atëherë KSHR do ti dorëzojë Parlamentit propozimin për ndryshimin e Ligjit për regjistrimin në pjesën e kohëzgjatjes.

Në KSHR pranojnë se që nga fillimi i regjistrimit janë hasur edhe më tutje probleme lidhur me zbatimin e procesit në tërë 44 rajonet e regjistrimit, janë evidentuar rajone ku akoma nuk janë formuar ekipet e regjistrimit dhe tendencat që regjistrimi në disa zona të realizohet vetëm nga ekipet një-etnike të regjistruesve.

Në zona etnikisht të pastra shqiptare, siç është komuna e Likovës, nuk janë paraqitur regjistruesit maqedonas dhe serb, të cilët hezitojnë të jenë pjesë e këtij procesi në këtë rajon.

Ndërsa nga ana tjetër, në zonat tjera të Maqedonisë Lindore si në Manastir, Prilep, Veles mungojnë regjistrues shqiptarë.

Mundësinë për të shtyrë këtë operacion të numërimit nuk e kanë përjashtuar edhe partnerët e koalicionit, VMRO-DPMNE dhe BDI.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›