E Hënë, 2 Nëntor 2026

Izraeli nuk i ofron asgjë Panettas

Nga Express më 04 tetor 2011 në ora 12:04

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, nuk ka marrë premtime të reja nga udhëheqësit izraelitë, pasi u kërkoi atyre që të bëjnë më shumë në arritjen e paqes me palestinezët dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me vendet e tjera në rajon.

Është ky udhëtimi i parë i Leon Panettas në Tel Aviv, qëkur mori postin e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes.

Ai shkoi në Tel Aviv me një paralajmërim për shtetin hebraik: se rrezikon izolim të mëtejshëm, nëse nuk përmirëson marrëdhëniet me vendet e tjera në rajon pas revolucioneve popullore në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Panetta tha se Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë Izraelin që të përmirësojë marrëdhëniet e dëmtuara me Egjiptin dhe Turqinë.

“Është shumë e qartë se në këto kohëra dramatike në Lindjen e Mesme, ku ka pasur kaq shumë ndryshime, nuk është një situatë e mirë për Izraelin që të bëhet edhe më i izoluar, dhe pikërisht kjo po ndodh”, tha ai.

Panetta u prit përzemërsisht në ministrinë izraelite të Mbrojtjes , me një përgjigje të sjellshme të ministrit izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak.

“Jam tërësisht dakord se duhet të kërkojmë një rrugë të arsyeshme dhe të përshtatshme për të zbutur tendosjet me Turqinë dhe me Egjiptin, që të gjejmë një shteg për të rifilluar negociatat në një mënyrë të sinqertë dhe efektive me palestinezët”, tha Barak.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›