Regjistrimi në universitete, probleme me letërnjoftimet
Një problem i paparashikuar rrezikon t’i lërë jashtë sallave të leksioneve përgjatë këtij viti akademik. Ndonëse janë shpallur fitues dhe kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, një pjesë e fituesve kanë hasur në një pengesë: nuk kanë as letërnjoftim e as pasaportë. Këtë vit, Ministria e Arsimit nuk ka përfshirë më certifikatat në listën e dokumenteve alternative që mund të dorëzojë fituesi si mjet identifikimi për t’u regjistruar në universitet, duke lënë vetëm letërnjoftimet dhe pasaportat.
“Unë nuk di se çfarë do të bëj. Nuk kam kartë identiteti e as pasaportë dhe që t’i bëj tani, më duhen të paktën dy javë, ndërsa regjistrimet mbyllen pasnesër”, - thotë për “standard” një prej studentëve.
Regjistrimi i kandidatëve fitues kryhet çdo ditë duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit e deri në orën 16:00 të pasdites, në sekretaritë e fakulteteve. Për regjistrimin paraprak kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë një dosje individuale, me dokumentet origjinale.
Dokumentet janë: Dëftesë pjekurie origjinale dhe në mungesë, një listë notash me fotografi, e nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale përkatëse; dokument identifikimi (letërnjoftim, ID ose pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; 2 fotografi; si edhe mandati i arkëtimit të tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë (nr. i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës)
“Kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit”, - bëri të ditur Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Këtë vit, një numër i konsiderueshëm maturantësh nuk kanë mundur që të fitojnë një të drejtë studimi. Nga të dhënat e deklaruara nga specialistët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, rezulton se këtë vit, për këtë shkak kanë humbur të drejtën e studimeve të larta rreth 4500 nxënës në të gjithë vendin. Njëkohësisht, rreth 150 maturantë të tjerë janë penalizuar që në fazën e parë, pasi testet e tyre rezultuan të kopjuara.
Aktualisht, është miratuar dhe numri zyrtar i kuotave të pranimeve për sistemin e ditës. Bazuar në fluksin e kërkesave të paraqitura nga vetë maturantët, janë akorduar më shumë kuota për Universitetin e Tiranës, i cili këtë vit do të presë më shumë se 7000 studentë të rinj. Po ashtu, rritje e preferencave është vënë re edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës.