E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tjetërsimi i pronave në bregdet, arrestohet ish-deputeti Flori Bajramaj



Një ish-deputet i PD-së dhe një ish-funksionar i KRRT-së janë vënë në pranga nga njësia Task-Force, pasi akuzohen për abuzime me pronat në bregdet. Bëhet fjalë për 12 parcela që janë pronë shtetërore dhe rezultojnë të jenë dhënë për sheshe ndërtimi nga dy të arrestuarit. Fakti bëhet i ditur nga burime zyrtare policore, sipas të cilave, prangat iu janë vënë shtetasve Flori Bajramaj e Pasho Beqiri. Referuar të njëjtave burime, ka qenë ora 19:00 e pasdites së djeshme, kur agjentët civilë i kanë komunikuar Flori Bajramajt, 38 vjeç, urdhër-arrestin e prerë nga Gjykata e Durrësit në adresë të tij. Prangosja e ish-deputetit Bajramaj dhe e Pasho Beqirit, 50 vjeç (ish-kryetar i Këshillit Teknik tek KRRT-ja Rrashbull) është kryer në banesat e tyre dhe asnjëri prej të arrestuarve nuk ka bërë rezistencë, duke iu bindur uniformave blu. Akuza që rëndon mbi ish-deputetin e PD-së në vitin 2005, juristi Flori Bajramaj, është për “shpërdorim detyre”. Operacioni u zhvillua pasi caktimit të masave të arrestit në mungesë për këta dy shtetas nga Gjykata e Durrësit dhe u kodua “Shkëmbi i Kavajës”.

Hetimi

Nga të dhënat e para dyshohet se dy të arrestuarit kanë abuzuar në 12 parcela në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, duke i tjetërsuar ato. Kjo zonë, sipas hetuesve, administrohet nga komuna Rrashbull dhe dyshohet që Bajramaj e Beqiri të kenë shfrytëzuar pozicionet përkatëse për të tjetërsuar këto parcela, pronë shtetërore, të cilat më pas janë shndërruar në sheshe ndërtimi. Për këtë motiv edhe operacioni policor është koduar me emërtimin “Shkëmbi i Kavajës”. Hetimet, sipas burimeve policore, kanë nisur prej vitesh, por duket se mandati i deputetit i zotëruar nga Bajramaj, ka “shtyrë” operacionin për arrestimin e dy shtetasve. Hetuesit kanë marrë si pikënisje periudhën 2002-05, kohë në të cilën juristi Flori Bajramaj ishte anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit në Rrashbull. Policia bën me dije se zotëron prova që Bajramaj dhe Beqiri në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kaluar për shqyrtim dhe miratuar njëkohësisht në KRRT-në e kësaj komune disa kërkesa për sheshe e leje ndërtimi (në pronë publike, pa vërtetim pronësie) në kundërshtim me ligjin për urbanistikën.

Masa

Pasi është njohur me dosjen hetimore, gjykata ka shqyrtuar në fshehtësi problematikën, duke dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg” me vendimet numër 548 dhe 549, të datës 16 shtator për dy shtetasit që sipas saj kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Vetëm pesë orë ka zgjatur lëshimi i fletë-arrestit nga Gjykata e faktit, pasi në një kohë rekord policia e ka ekzekutuar atë. Duhet thënë se aktualisht as Beqiri dhe as Bajramaj nuk kanë funksione në KRRT-në e komunës Rrashbull. Kjo komunë rurale administron një territor të lakmueshëm bregdetar që shtrihet nga Plepat e deri tek Përroi i Agait, gjatësia e të cilit në Adriatik shtrihet në gjashtë kilometra. Duke qenë se segmenti bregdetar i komunës Rrashbull ka qenë kryesisht tokë shtetërore, shumë parcela të saj janë përdorur për kompensimin e ish-pronarëve, por edhe shumë të tjera janë tregtuar përmes makinacioneve të jashtëligjshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›