Regjistrimi online i pasurive te paluajtshme
Regjistrimi i pasurive të paluajtshme në mënyrë elektronike do të nisë që nga dita e hënë. Këtë fakt e konfirmon kryeregjistruesi, Arben Qirjako, sipas të cilit sistemi elektronik është gati dhe pritet të aplikohet në Tiranë javën që vjen dhe më pas do të shtrihet gradualisht edhe në rrethet e tjera.
Kryeregjistruesi Qirjako thekson se avantazhi i kësaj praktike të re, është shkurtimi i kohës së aplikimit, e cila reduktohet nga 30 ditë në 9 ditë. Kjo falë elektronizimit të sistemit të të dhënave, për çdo regjistrues.
Një tjetër vendim i rëndësishëm që shkon paralelisht me regjistrimin online të aplikimeve, është edhe mundësia që qytetarët do të kenë të kontrollojnë ecurinë e aplikimit të tyre. Sipas Qirjakos, kjo do të shërbejë që ata të kenë transparancë mbi aplikimin e tyre si dhe të kenë mundësi të reagojnë nëse procesi ka ngecur diku.
Vendimi për regjistrimin online të aplikimeve në hipoteka dhe krijimit të sistemit elektronik në këtë isntitucion u miratua pak ditë më parë në Këshillin e Ministrave.