Rrjedhje nga tubacioni shitesi dhe klienti perfshihen ne flake

Një ngjarje e rëndë është shënuar tek ish SMT-ja, në dalje të qytetit të Shkodrës, ku nga shpërthimi i gazit në një pikë mbushjeje kanë mbetur të plagosur rëndë 2 persona, të cilët u dërguan urgjent në spitalin ushtarak në Tiranë për shkak të djegieve të shkallës së fundit që kanë marrë nga shpërthimi. Andi Hysa 19 vjeç nga lagjia “Perash” e Shkodrës dhe Pjetrash Uldedaj 54 vjeç nga lagjia “Skënderbeg” janë dy të plagosurit rëndë. Sipas zjarrëfikësve dhe specialistëve të policisë të cilët kanë hetuar rreth kësaj ngjarje. Fillimisht është menduar për shpërthimin e ndonjë bombule gazi, por nga kqyerja e vendit të ngjarjes është mësuar se 54 vjeçari Pjetrash Uldedaj i cili ka punuar në atë pikë shitje gazi si shitës, ka qenë së bashku me një mikun e tij, kur 19 vjeçari Andi Hysa ka ardhur per te blere gaz. Nga konstatimi i ekspertizës vihet në përfundim se rrjedhja e gazit nga tubacionet ka shkaktuar edhe shpërthimi, i cili ka ardhur si shkak i shkëndijës elektrike në momentin e futjes në punë të aparaturave me anë të energjisë por nuk përjashtohet edhe mundësia e ndezjes së cigares. Nga sa mësohet shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe flakët e zjarrit kanë përfshirë 54 vjeçarin Pjetrash Uldedaj dhe 19 vjeçarin Andi Hysa ndërsa personi i tretë ka shpëtuar me lëndime të lehta. Dy të plagosurit Andi Hysa dhe Pjetrash Uldedaj janë dërguar menjëherë në spitalin e Shkodrës nga aty për në Spitalin Ushtarak në Tiranë pasi plagët e marra nga flakët e zjarrit janë të rënda duke rrezikuar edhe jetën e tyre.