Shkëlqim Cani: Po fryn erë piramidash
Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, në një intervistë për të përditshmen Shqiptarja.com, konstaton shenja të rrezikshme paralelizmi midis situatës aktuale të kredive të këqija bankare dhe ngjarjeve që sollën piramidat.
Situata mendoj se është më dramatike se kaq. Fjala është për një nivel diku tek një raport 25-30 për qind midis kredive të këqija dhe portofolit të kredisë në total, thotë Cani.
I pyetur se përse ka pasur një rritje kaq të shpejtë, ai thotë: Kjo mund të lidhet edhe me krizën globale, siç ka lidhje me një qëndrim liberal të Bankës së Shqipërisë dhe një veprim të personave të caktuar në bankat e nivelit të dytë, që kanë dhënë shifra të larta në kredi, pa e vrarë shumë mendjen për kthimin e tyre. Ata kanë vepruar kështu, kryesisht, për interesa vetjake.
Edhe kur isha guvernator, sinjale të ndryshme kanë ardhur, sipas të cilave zyrtarë të ndryshëm të bankave jepnin kredi kundrejt pagesës së një shume “nën dorë” nga personat e interesuar që merrnin kredinë. Kjo është jo vetëm në kundërshtim me interesat e institucionit bankar ku ata punonin, por është një fenomen, i cili është lënë të trashet dhe ka krijuar disa nga kushtet për situatën e kredive të këqija, siç po përjetohet sot, vijon Cani.