Berisha inauguron hapjen e tunelit të Krrabës: Ditë historike, Rama të kërkojë falje sepse pengoi këtë investim
Berisha nxori celularin dhe lexoi mesazhin e një zonje që kishte vajzën të punësuar si inxhiniere tek tuneli. Në mesazh thuhej se po bëhet realitet legjenda e shpimit të maleve. Turma shpërtheu në thirrje: Berisha, Berisha
Kryeministri Sali Berisha e shembi edhe një tjetër mur për të bashkuar dy anët e një tuneli. Kësaj here në rrugën Tiranë- Elbasan, në tunelin e Krrabës. Si në rastin e tunelit të Kalimashit, Berisha pati pak vështirësi në manovrimin e makinerisë që do shembte murin e ngritur për ta rrëzuar kryeministri. Më pas, Berisha dhe disa ministra e deputetë të tij kaluan nga njëra anë e tunelit në tjetrën.
Disa qytetarë dhe zyrtarë të pranishëm në ceremoni duartrokitën dhe u lëshuan në ovacione për Berishën.
Pasi doli jashtë, Berisha mbajti një fjalim përpara të pranishmëve.
Kjo është një ditë historike për qytetarët e mbarë Shqipërisë. Gëzuar ditën e sotme, ditën në të cilën Tirana e Elbasani bashkohen tashmë me ndihmën e këtij tuneli, bashkohen përjetë njëri me tjetrin. Tuneli që sot e inauguruam është segmenti kryesor i Korridorit 8 dhe i Korridorit të Jugut. Ky segment ofron me një orë Shkupin me Tiranën, Tetovën me Tiranën, Maqedoninë me Shqipërinë. Për një shekull ky tunel ka qenë një ëndërr e atyre që për të ardhur në Tiranë duhet të ngjitnin malin. Kjo ëndërr në më pak se 11 muaj u bë realitet, tha Berisha.
Më pas kryeministri nxori telefonin celular dhe lexoi një mesazh të një zonje. Do u lexoj këtu mesazhin e një zonje se si e ndjen ajo gëzimin: Legjenda për njerëzit që përshkojnë malet po bëhen realitet. Ditë e mrekullueshme. Kam edhe vajzën inxhiniere tek tuneli, tha Berisha.
Kryeministri Sali Berisha sulmoi sërish opozitën se ka penguar ndërtimin e kësaj vepre. Berisha tha se Rama po bën njësoj si me Rrugën e Kombit. Ai tha se Rama duhet të kërkojë ndjesë për këtë.
Kryeministri nuk la pa falënderuar edhe drejtuesit e Bankës Islamike për Zhvillim që ofruan fondet për ndërtimin e kësaj rruge.
Edhe njëherë gëzuar këtë ditë të bekuar, e mbylli Berisha fjalimin.
Rruga Tiranë-Elbasan, e cilësuar si segment nevralgjik ka si pjesën më të rëndësishme të saj tunelin e Kërrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milion dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim.
Tuneli me gjatësi 2,4 kilometra ka dy tuba me nga dy korsi secila, me gjerësi 8 metra dhe lartësi 5 metra për secilin tunel.