E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrohen 110 mijë biznese, Ruli: U thjeshtuan procedurat

Regjistrimi i një biznesi mund të kryhet brenda një dite të vetme. 

Qendra Kombëtare për Regjistrimin e biznesit ka kryer dje analizën 6-mujore të punës së saj. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, gjatë analizës së djeshme u shpreh se, kalimi i regjistrimit të biznesit nga procedura gjyqësore në atë administrative dhe ulja e kontakteve mes biznesit dhe shtetit janë ato, që përmirësojnë klimën e biznesit. "Procedurat e regjistrimit të QKR-së kanë thjeshtuar dhe reduktuar dukshëm koston e shërbimeve për regjistrimin e biznesit, duke reduktuar në një ditë të vetme periudhën e nevojshme për të regjistruar një biznes të ri dhe për të bërë ndryshime në informacionin për kompaninë e regjistruar", ka thënë ministrti. Sipas tij, QKR-së iu deshën 6 muaj të rregullonte atë çka ishte bërë mbrapsht në regjistrimin e shoqërive tregtare shqiptare për 14 vjet, për arsye se trashëgoi një arkivë të tërë dokumentare, nga të gjitha gjykatat e vendit me të gjitha problematikat në këto dosje. Nga ana tjetër, ministri Ruli kërkoi nga administrata që të intensifikohej bashkëpunimi me pushtetin vendor për të bërë të mundur, që jo vetëm në dy prej qyteteve kryesore të shënohen nivele rekord në rajon, përsa i përket regjistrimit të biznesit, por mundësisht ky regjistrim të shtrihet në të gjitha qytetet. Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare numri i bizneseve të regjistruar arrin në 110 mijë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›