E Diel, 1 Nëntor 2026

Vera, nis rënia e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës

Nis rënia e ujit në liqenin e Fierzës. Sipas të dhënave zyrtare nga KESH, niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 284.46 metra dhe rënia ditore e ujit është 22 cm. 

Fabiola Çela

Por edhe pse niveli ujit në liqen është ulur, përsëri krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, situata hidrike në Fierzë është goxha mirë. Nga ana tjetër, reshjet e ditëve të fundit pritet që të ndikojnë në rritjen e nivelit të prurjeve të ujit në liqen.
Situata
Edhe pse niveli i ujit në kaskadë nuk është në kuotën e tij maksimale, zyrtarë të lartë të KESH., kanë deklaruar se, nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike. Kjo pasi përveç prodhimit vendas të energjisë korporata ka mundur të sigurojë energjinë e mjaftueshme nga importi. Sipas të dhënave më të fundit nga KESH, konsumi ditor i energjisë arrin në 14.8 milionë kwh nga ku 11.6 milionë kwh janë prodhim vendas, ndërsa pjesa tjetër e kërkesës për energji plotësohet nga importi. Në fakt, në disa zona të vendit ka mungesa të energjisë elektrike, por këto ndërprerje nuk kanë ardhur si pasojë e mungesës së energjisë, por nga remontet. Punimet në linjat e tensionit të lartë dhe në nënstacionet e energjisë elektrike kanë sjellë kufizime të energjisë elektrike në disa zona në vendit për disa orë në ditë. Sipas zyrtarëve të lartë të operatorit të sistemit të shpërndarjes, remontet do të vazhdojnë deri në muajin shtator. Sipas tyre kryerja e këtyre punimeve është shumë e rëndësishme për furnizimin e rregullt me energji gjatë muajve të dimrit. Por nga ana tjetër, ata kanë vënë në dukje se jo gjithmonë remontet do të sjellin kufizime të energjisë. Në fakt, pavarësisht kufizimeve të energjisë që kanë ardhur si pasojë e remonteve, këtë vit furnizimi me energji ka qenë goxha më i mirë se një vit më parë. Kjo pasi viti 2007 do të mbahet mend si viti më i keq për korporatën, e cila përveç dy krizave energjetike, pati edhe një krizë financiare dhe kjo si rrjedhojë e blerjeve në sasi të larta të energjisë. Viti 2007 ishte një ndër vitet më të thatë, çka i kushtoi shumë korporatës elektro-energjetike.

Të dhëna në Fierzë

    284.46 metra nivelit i ujit në Fierzë
    60 metër kub në sekondë prurjet e ujit
    22 cm rënia ditore e nivelit të ujit
    172.82 metra niveli i ujit në Koman
    30 metër kub në sekondë prurjet anësore
    74.16 metra niveli i ujit në Vaun e Dejës

 Privatizimi i OSSH në shtator

Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, edhe pse është cilësuar si një ndër proceset më të vështirë, do të përfundojë në muajin shtator. Aktualisht, katër kompanitë që kanë kaluar fazën e kualifikimit janë duke u njohur me hollësi, lidhur me gjendjen teknike dhe financiare të OSSH-së. Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është kërkuar me ngulm nga përfaqësuesit e Bankës Botërore, si dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vetëm pak kohë më parë qeveria miratoi kriteret për kompanitë që duan të marrin pjesë në tenderin për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Sipas kritereve të përcaktuara nga qeveria, investitorët që duan të blejnë OSSH-në duhet të kenë një eksperiencë të mirë në tregun e energjisë.

Kompanitë që duan të blejnë OSSH

    EVN AG

    ENERGIE STEIERMARK AG

    CEZ a.s.

    ENEL S.p.A.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›