Çelet edicioni i tetë i Panairit të Librit në Ulqin
Petrika GROSI
Sot pritet që të çelet Panairi i tetë i Librit në Ulqin, një eveniment i cili do të servirë për publikun e pranishëm mbi 60 botues dhe 6 000 tituj të ndryshëm librash. Autorët pjesëmarrës do të jenë kryesisht ata më të njohurit në Ballkan. Sipas njoftimit të mbërritur në redaksinë e gazetës “Albania” të pranishëm në këtë panair do të jenë si gjithmonë edhe botuesit shqiptarë sëbashku me shkrimtarët tanë më të njohur duke nisur që nga Ismail Kadare e Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Rexhep Qosja, etj. Në ceremoninë e hapjes së Panairit do të jenë të pranishëm gjithashtu, ministri i Arsimit të Malit të Zi dhe ai i Shqipërisë. Panairi do të zhvillohet në datat 25-31 korrik në qytetin bregdetar të Ulqinit në Mal të Zi. Në qendër të vëmendjes pritet të jetë edhe akademiku kroat me origjinë shqiptare Aleksandër Stipçeviç. Libri shqip do të paraqesë në këtë Panair rreth 500 tituj, botime të reja ku përfshihen autorë shqiptarë e të huaj, encikopedi, histori, letërsi për fëmijë e për të rritur, fjalorë, libra të ndryshëm e metodika utilitare, albume, etj.
Sipas traditës së përvitshme të këtij Panairi, do të jenë të ftuar edhe kësaj here personalitete të shquara nga fusha e letrave, artit e kritikës. Deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre Kadare, Agolli, Kongoli, Arapi, Jevren Brkoviç, Luan Starova dhe Sreten Asanoviç. Organizatorë të këtij aktiviteti janë ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Malin e Zi, Fuad Nimani, kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga dhe Shoqata e Botuesve të Shqipërisë, që përfaqësohet nga Fatmir Toçi. Por veç botuesve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen edhe libra të botuesve nga Mali i Zi, Bosnja e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike.
25 Korrik 2008