Regjistrohen 6 raste me gripin H1N1 në Klos

Konfirmohen edhe gjashtë raste të reja të gripit të derrit në një nga shkollat e Klosit. Sipas drejtorit të ISSH-së në Burrel, Zylfi Dika mësohet se gjashtë nxënës të shkollës 9-vjeçare "Tahir Hoxha" në Klosë rezultojnë të jenë mbartës të virusit A/H1N1. Më tej Dika pohon se 10 kampione janë marrë nga nxënësit e kësaj shkolle dhe më pas janë dërguar për në laborator në Tiranë ku janë bërë analizat dhe nga këto 10 kampione, 6 prej tyre kanë rezultuar të jenë me virusin e gripit të derrit. Ndërkohë sipas burimeve mësohet se fëmijët janë duke u kuruar në shtëpi. Por pikërisht në këtë shkollë ku kanë qenë nxënësit që janë me gripin e derrit për një ditë nuk janë paraqitur në shkollë 155 nxënës. Ndërsa edhe në shkollën e mesme Shaban Çollaku po në Klos ka pasur një mori mungesash, ku vetëm në një ditë numërohen 47 prej tyre. Mungesa e nxënësve ka qenë si rezultat i frikës së gripit të derrit. Ndërkohë që analizat për në laboratorin e kryeqytetit për gripin e derrit realizohen falas.