E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv.ministri Spahia: Projekte bashkëpunimi me Rajonin e Lombardisë



Zëvendësministri i Shëndetësisë, z. Bardh Spahia, priti avokatin Claudio Morpurgo, të deleguarin për Çështjet Evropiane të Guvernatorit të Rajonit të Lombardisë, z. Roberto Formigoni, dhe delegacionin që ai kryesonte në një vizitë institucionale në Shqipëri. Në takimin me zv.ministrin. Spahia, av. Morpurgo shprehu dëshirën për të rilançuar marrëdhëniet mes Rajonit Lombardia dhe Shqipërisë, duke thelluar bashkëpunimin, ndër të tjera edhe në fushën e shëndetësisë, fushë në të cilën ky rajon është lider jo vetëm në Itali, por edhe në Evropë. Spahia bëri një panoramë të detajuar të sistemit shëndetësor në Shqipëri, duke theksuar punën e bërë nga qeveria në katërvjeçarin e fundit dhe nënvizoi prioritetin e qeverisë në vazhdimin e reformave të mëtejshme në këtë sektor, me synim përmirësimin e ofrimit të shërbimit shëndetësor ndaj qytetarëve shqiptarë. Ai paraqiti gjithashtu problemet e ndryshme me të cilat po përballet shëndetësia shqiptare, duke treguar pikat në të cilat Rajoni i Lombardisë mund të ofrojë mbështetje dhe asistencë për sistemin shëndetësor shqiptar. Ai u kërkoi ndër të tjera përfaqësuesve të rajonit mbështetje në thithjen e investimeve lombarde në vendin tonë dhe veçanërisht në fushën e shëndetësisë, si dhe ndihmë në sigurimin e financimeve nga Komuniteti Evropian për projekte dhe programe të ndryshme në këtë fushe. Në të njëjtën kohë u fol edhe për mundësitë e trajnimit dhe përgatitjen e mjekëve dhe personelit shëndetësor pranë strukturave mjekësore lombarde. Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua për mundësinë e binjakëzimit mes strukturave spitalore shqiptare me ato të Lombardisë. Kërkesë tjetër e z. Spahia ishte rritja e numrit të pacientëve shqiptarë me patologji të rënda për trajtim në strukturat shëndetësore lombarde. Më tej, në këtë takim u ra dakord edhe për koordinimin e “fushatave parandaluese” të sëmundjeve të ndryshme. Përfaqësuesit e Rajonit të Lombardisë shprehen gatishmërinë dhe kënaqësinë për një bashkëpunim të ngushtë dhe afatgjatë si dhe siguruar për kalimin në kohë shumë të shkurtër në fazën operative të këtij bashkëpunimi.

Ksera: Integrim për emigrantët

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, thirri dje mbledhjen e parë të Komitetit Teknik për Migrimin, në të cilin institucionet përgjegjëse për zbatimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planin e Veprimit për Migrimin kanë raportuar për punën e bërë për zbatimin e masave konkrete të parashikuara nga këto dy dokumente të rëndësishme. Sipas ministrit Ksera: “Ngritja e Komitetit është një hap i rëndësishëm që tregon rritjen e vëmendjes së qeverisë për migrantët dhe migrimin, si dhe shtimin e përpjekjeve për përmirësimin e menaxhimit të migracionit, si një objektiv prioritar i procesit të integrimit evropian të Shqipërisë”. Ministri Ksera tërhoqi vëmendjen rreth nivelit të realizimit të detyrave të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Migrimin dhe Planin Kombëtar të Veprimit nga ana e institucioneve përgjegjëse, duke u ndalur tek përfundimet e raportit të parë, ku, sipas Kserës, “fakti që nga 66 masa të parashikuara në Strategji, 20 prej tyre ose 30.3% janë zbatuar pjesërisht dhe 17 ose 25.7% nuk janë zbatuar duhet të përbëjë një apel për të gjitha institucionet përgjegjëse”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›