E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria: Gripi sezonal, më i rëndë se gripi i derrit



Gripi sezonal paraqitet me simptoma më të rënda se gripi i derrit. Drejtori i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, thotë se influenca stinore po fiton një terren epidemik, ndaj dhe duhen masa parandaluese dhe vaksinim. Sipas Piperos, në vijim të monitorimit të situatës epidemiologjike, nga mostrat e analizuara dje në ISHP, përfshirë dhe ato të disa shkollave në Tiranë dhe rrethe të tjera, rezultojnë 11 raste me virusin A, ku përqindja më e madhe i takon virusit të influencës stinore, ndërsa asnjë rast nuk konfirmohet të jetë nxënës.

Drejtori i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor shprehet se institucionet shëndetësore dhe ato arsimore nuk duhet ta shkëpusin për asnjë moment vëmendjen ndaj virusit pandemik A/H1N1, duke mbajtur në monitorim të vazhdueshëm qendrat e grumbullimit publik, përfshirë edhe shkollat.

Shkollat

Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, në një emision është shprehur: “Jemi në kontakte të ngushta me Ministrinë e Arsimit. Monitorojmë mungesat nëpër shkolla. Mjekët monitorojnë gjendjen e nxënësve, shenjat e tyre. Në laborator dërgohen mostra sipas një grafiku të caktuar dhe sipas nevojës. Spitalet janë në gjendje gatishmërie në çdo rast. Por, ne nuk mund të themi se në Shqipëri kemi një situatë alarmante, sepse qarkullon gripi pandemik”.

Ai u ka bërë sërish apel qytetarëve që të vaksinohen ndaj gripit sezonal si një masë parandaluese ndaj gripit pandemik. “Është e provuar tashmë se ky grip sezonal në persona të caktuar, me sëmundje të caktuara, shkakton komplikacione. Edhe në shkollat që janë bërë publike rastet, sigurisht ka mungesa, ka raste, por ato u atribuohen virozave të stinës. Për këtë arsye i bëj thirrje gjithë popullatës të drejtohet tek mjeku i familjes, në farmaci dhe të marrë vaksinën e gripit të stinës”.

Mostrat

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë thekson se hapja e laboratorit të ri të konfirmimit të diagnozës për raste me A/H1N1 ka krijuar komoditetin dhe mundësinë profesionale për të diagnostikuar në kohë reale të gjitha influencat qarkulluese për momentin në vendin tonë, duke përfshirë dhe influencën pandemike (gripin A/H1N1) dhe influencën stinore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›