E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla ku u infektua fëmija, urdhër për dezinfektim



Frika ndaj përhapjes masive të gripit sezonal dhe atij pandemik A/H1N1 tek nxënësit ka shtrënguar masat në shkollat e vendit. Përveç raportimit të mungesave Ministrisë së Arsimit dhe ISHP-së, drejtorët e shkollave 9-vjeçare dhe atyre të mesme në kryeqytet po forcojnë kontrollet mbi motivacionet e mungesave.

Madje, drejtorja e shkollës 9-vjeçare “Edith Durham” në Tiranë, ku një fëmijë është identifikuar me virusin pandemik, Luljeta Minarolli, së fundmi ka urdhëruar sanitaret që të lajnë shkollën me detergjent dhe ta dezinfektojnë atë me klor. Minarolli pohon se kjo shkollë po vazhdon me sensibilizimin e nxënësve për simptomat e gripit si dhe ka siguruar sapun dhe ujë në çdo banjë.

Masat

Çdo mësues kujdestar, me urdhër të drejtorëve dhe me rekomandim të specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, do t’u dedikojë disa minuta sensibilizim nxënësve ndaj masave dhe rreziqeve që sjellin të dy gripet. Drejtorja Luljeta Minarolli thotë se përveç sensibilizimit të çdo nxënësi, në ambientet e shkollës janë vendosur edhe postera informues. “Çdo ditë në fund të mësimit mbahen shënim mungesat e nxënësve të çdo klase.

Pas kthimit në shkollë kërkohet motivacioni dhe shoqërim me prindërit. Ndërsa ditët e fundit, në kuadër edhe të masave ndaj gripit pandemik, kam pajisur sanitaret e shkollës me detergjent dhe me klor, në mënyrë që ambientet e shkollës të dezinfektohen më mirë”, - shprehet drejtorja e shkollës 9-vjeçare “Edith Durham”, Luljeta Minarolli.

Sipas drejtores, mungesat e evidentuara në këtë periudhë janë më se normale për sezonin në të cilin ndodhemi. Ajo pohon se në çdo klasë ka pothuajse 3 mungesa në ditë, që janë më se të justifikueshme, për shkak edhe të rënies së temperaturave.

Virusi

Identifikimi i nxënësve me virus bëhet pas marrjes së mostrave si të dyshuar dhe analizimin e tyre në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë. E dhëna e parë që do të drejtojë specialistët e ISHP-së drejt shkollave për të marrë mostrat përkatëse, do të jenë mungesat e shumta në orët e mësimit, vizitat e shpeshta tek doktori i shkollës. Pas identifikimit të rasteve, specialistët këshillojnë që ai të qëndrojë në shtëpi, ku edhe të mjekohet duke shmangur në këtë mënyrë rrezikshmërinë edhe për të tjerët. Specialistët shprehen se nuk ka vend për panik, edhe pse gripi i derrit është i pranishëm në shkolla, pasi rastet do të izolohen dhe do të kurohen në shtëpi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›