Rehagel: Nuk na tremb Sheva, mbrojtja është arma jonë
ATHINE- Trajneri i Greqisë Oto Rehagel u ka bërë thirrje futbollistëve të tij që të tregojnë se e meritojnë të shkojnë në Botëror kur të përballen me Ukrainën në plejof. Kampionët e Evropës në vitin 2004 do të presin Ukrainën e Shevçenkos ditën e shtunë në stadiumin Olimpik të Athinës, ndërkohë që të mërkurën do të luajë ndeshjen e kthimit në Donjeck. “Kemi disa mungesa, megjithatë edhe në ndeshjet e fundit nuk e kam patur në dispozicion të gjithë skuadrën, - deklaroi Rehagel. – Do më pëlqente të kisha Torosidhis dhe Seitaridhis, por për fat të keq ata do të mungojnë të shtunën”, shtoi tekniku gjerman. I pyetur për strategjinë që do të ndjekë apo nëse do të qëndrojë si zakonisht në mbrojtje, Rehagel u përgjigj: “Sigurisht, mbrojtja jonë luan një rol të rëndësishëm në rezultatet e ekipit, por na duhet të gjejmë një balancë mes saj dhe sulmit. Duhet të marrim një rezultat të mirë që na jep shpresa për ndeshjen e kthimit”, deklaroi më tej ai. Pavarësisht se Greqia shihet si favorite, Ukraina ishte skuadra që e la atë jashtë Botërorit të vitit 2006, duke fituar në Athinë. Rehagel u shpreh gjithashtu se nuk shqetësohet aq shumë për yllin e kombëtares ukrainase Andrij Shevçenko, por për gjithë skuadrën. “Shevçenko nuk luan vetëm, kështu që duhet të kemi kujdes edhe për 10 lojtarët e tjerë”, tha trajneri 71 vjeçar gjerman.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)