E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maradona lavdëron Mesin dhe pret dënimin e FIFA-s

ARGJENTINE- Në prag të ndeshjes së të shtunës ndaj Spanjës, trajneri i kombëtares argjentinase Diego Armando Maradona ka ndryshuar qëndrim në adresë të Lionel Mesit, tepër i kritikuar për formën e tij në eleminatoret e Botërorit të vitit 2010. Maradona pranoi se përgjegjësia që i është dhënë Mesit, është shumë e madhe për një 22 vjeçar. “Mendoj se i kemi dhënë përgjegjësi të mëdha, por Mesi e ka bërë atë çfarë duhet të bënte dhe unë jam shumë i lumtur me të”, tha trajneri argjentinas. Argjentina ishte në rrezik serioz për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, por fitorja në ndeshjen e fundit në Uruguaj e kualifikoi direkt atë. Në fund, Maradona shpërtheu në të shara dhe akuza në adresë të gazetarëve, gjë për të cilën ai pritet të dënohet nga Komisioni Disiplinor i FIFA-s. Vendimi do të jepet më 15 nëntor dhe trajneri i Argjentinës rrezikon deri në 5 ndeshje dënim, ç’ka do të thotë se ai mund ta ndjekë gjithë Botërorin nga tribuna. “Nuk do të flas më për këtë çështje, kam bërë një deklaratë dhe tani e kam lënë mënjanë. Që prej asaj dite nuk u kam folur më shumë njerëzve. Tani e vetmja gjë që po mendoj është ekipi kombëtar”, tha Maradona. Ai vlerësoi edhe kombëtaren spanjolle e sidomos mesfushorin e Barcelonës Ksavi. Ndeshja mes Spanjës dhe Argjentinës do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 20.45 në stadiumin “Vicente Kalderon” të Madridit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›