Rehn, 2009-a, zgjidhje për ishullin e ndarë të Qipros
Shefi i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Olli Rehn ka deklaruar se viti 2009 duhet të jetë viti për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për ishullin e ndarë të Qipros. Ai ka kërkuar nga të gjitha palët, veçanërisht Turqisë, të vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes.
Qipriotët grekë dhe qipriotët turq kanë jetuar të ndarë që nga ndyrhyrja ushtarake e Turqisë në vitin 1974, si reagim ndaj një grushti shteti të militantëve qipriotë grekë, të cilët kërkonin të bashkoheshin me Greqinë. Liderët e dy komuniteteve rifilluan bisedimet në shtator pas një ndërprerjeje katërvjeçare. Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, deklaroi se të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për të krijuar një "situatë që do të ketë një përfundim të mirë" për të dy komunitetet. "Nuk kemi si qëllim të bëjmë presion. Ne kemi si qëllim të krijojmë lehtësira", deklaroi ai për agjencinë Reuters. "Është e rëndësishme për të gjithë, por Turqia është një nga më të interesuarit. Ata e kanë përkrahur procesin, po, por është e rëndësishme që të gjithë të intensifikojmë mbështetjen tonë politike për një zgjidhje për Qipron", shtoi ai. Zyrtarët e BE-së kanë deklaruar privatisht se përparimi në bisedimet e vitit të ardhshëm për bashkimin e Qipros do të jenë thelbësore për të bërë përparime në procesin e ngadaltë të anëtarësimit të Turqisë në BE."Shpresoj që viti i ardhshëm do të jetë viti i Qipros dhe i zgjidhjes gjithëpërfshirëse të problemit të tij", deklaroi Rehn. "Ne duhet të ribashkojmë ishullin në mënyrë që Qiproja të jetë si një anëtar normal i BE-së, në paqe dhe i bashkuar", theksoi ai.
Qipriotët grekë përfaqësojnë ishullin në Bashkimin Europian, ku ata u anëtarësuan në vitin 2004 dhe ku Turqia dëshiron gjithashtu të bëhet një anëtare.