Gjirokastër, një nga grevistët rëndë në spital
Gjirokastër- Për të tretën herë brenda katër ditësh, njëri prej grevistëve të urisë dërgohet me urgjencë për në spital. Fejzi Aliu njëri prej grevistëve është dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal “Omer Nishani”. Mjekët deklarojnë se ka shumë probleme në shëndetin e tij, por më shqetësues është tensioni i gjakut që është në nivele mjaft të larta. Për këtë arsye, ai do mbahet përgjatë natës në sallën e reanimacionit ku do të marrë mjekime. E rënduar paraqitet edhe gjendja shëndetësore e grevistëve të tjerë, të cilët kërkojnë dëmshpërblim nga qeveria për pallatin e shembuar pak kohë më parë. Ditën e hënë pritet edhe protesta e tyre, në të cilën janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë banorët e Gjirokastrës.
Me gjithë sakrificën mjaft të madhe të këtyre familjeve që humbën gjatë shembjes së pallatit të gjithë pasurinë e tyre, si morale ashtu edhe materiale, shanset për një përfundim të shpejtë të grevës së tyre janë të pakta. Kjo, pasi pas refuzimit të dëmshpërblimit që qeveria akordoi për 14 familjet, nuk ka pasur asnjë reagim tjetër zyrtar. Nga ana tjetër, grevistët shprehen të vendosur për t’u sakrifikuar, deri në plotësimin e kërkesës së vetme, atë të marrjes së dëmshpërblimit të plotë. Banorët vazhdojnë të qëndrojnë nën gërmadhat e pallatit dhe pamja që të ofron kjo grevë është vërtetë e mjeruar.