Vdes pas lindjes, familja akuza mjekëve
Sarandë- Ka humbur jetën një javë pas lindjes me operacion një 25-vjeçare në Sarandë. Ngjarja e rëndë ndodhi sot, kur Enkelejda Osmani, nënë e tre fëmijëve, (me gjithë djalin e sapolindur) ka ndërruar jetë në maternitetin e Sarandës, në rrethana ende të paqarta.
Familjarët kanë drejtuar akuzat e para ndaj mjekëve, për mostrajtim të të resë në kohë, ndërkohë që mjekët që e kanë ndjekur kanë sqaruar se gruas i është dhënë e gjithë ndihma e nevojshme.
Një grup ekspertësh është nisur nga Tirana për në drejtim të Sarandës, të cilët do të merren me ekspertizën e rastit. Sipas burimeve nga spitali i Sarandës mësohet se grupi i ekspertëve do të merret me autopsinë e trupit për të përcaktuar shkakun e vdekjes së papritur të nënës së tre fëmijëve.
Nga të dhënat e para mësohet se gruaja para 20 ditësh ka pësuar frakturë në këmbë, thyerje të këmbës dhe qysh prej asaj dite është shtruar në maternitet, në pritje të lindjes së fëmijës, pasi ishte në muajin e 9-të të shtatzënisë. Mjekët deklarojnë se ajo është mbajtur nën kontroll deri sot, kur po bëhej gati të dilte nga spitali. “Gruaja reflektonte shëndet të mirë dhe bëhej gati të dilte”- thonë burimet spitalore.
Gruaja ka lindur me operacion, që është kryer nga mjekja e vjetër Cezarina Bozho.
Mësohet se sot, kur bëhej gati të dilte, nën kujdesin e të shoqit, pëson një goditje dhe kalon në gjendje shoku të mënjëhershëm. Thirren mjekët dhe organizohet konsultë me ekip mjekësor. Por me gjithë ndërhyrjen, edhe pas goditjeve kardiake ajo nuk ka mundur të shpëtojë dhe ka ndërruar jetë. Gruaja ka lindur me këmbë në hallçi, për shkak të thyerjes që kishte pësuar, dhe sipas mjekëve ajo ka ndërruar jetë si pasojë e një trompoze.
Drejtori i materniteit, Arben Vogli, thotë se trompoza mund të jetë shkaktuar për shkak të lëvizjes së menjëhershme të saj, ose nga operacioni ose nga vendi i thyerjes. Familjarët janë të alarmuar dhe kanë mbetur pa mend nga gjithë kjo që ndodhi.
“E sollëm të gjallë, lindi për bukuri dhe tani e marrim të vdekur”- thonë ata, duke kërkuar të gjendet fajtori për vdekjen e saj.