E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni ‘duel’ me Jeremiçin në Këshillin e Sigurimit

 

Këshilli i Sigurimit në OKB, ka përfunduar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, nën kryesinë e Vietnamit, një seancë që preku më shumë se gjithçka pavarësinë e Kosovës. Takimi u mbajt për shqyrtimin e raportit të radhës për zhvillimet e tre muajve të fundit në Kosovë, të cilin e paraqiti përfaqësuesi Special i Ban Ki Munit, Lamberto Zannier. Ai është ankuar për autoritetet e Kosovës, se ata: “I janë shmangur takimeve me mua, por para pak ditësh e them me kënaqësi më ka ftuar presidenti Sejdiu, me të cilin kam pasur një bisedë të gjatë”, tha Zannier. Ai shfaqi shqetësim për veriun Kosovës me potencial destabilizimi. Kosova u përfaqësua në takim nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, i cili foli për suksesin që Kosova po arrin në të gjitha fushat. Hyseni akuzoi Serbinë për ndërhyrje dhe mbështetje e strukturave paralele serbe, si dhe për pengimin e serbëve në integrimin në institucionet e Kosovës. “Serbët e Kosovës janë nën një trysni të përhershme nga ana e Beogradit”, tha ai. Ndërkohë ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, fillimisht foli për pritshmërinë e interpretimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, duke ju bërë lutje anëtarëve që të mos bëjnë trysni për njohje të mëtejme të pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, duke përmendur bashkëpunimin e Serbisë me EULEX-in, Jeremiç tha se angazhimi i Beogradit ka bërë që policët serbë të kthehen në Policinë e Kosovës. Jeremiç u ankua për moslejimin e autoriteteve serbe të vizitojnë sa herë duan udhëheqësit serbë në Kosovë ndërsa një pjesë të madhe të fjalës ia kushtoi trashëgimisë “së sulmuar dhe të rrezikuar kishtare e fetare serbe në Kosovë”. Për zgjedhjet lokale në Kosovë ai tha se “ishte e pamundshme t’i mbështesim”.
Vendet e tjera
Ndërsa përfaqësuesi i Austrisë njohu progresin e shënuar në Kosovë në muajt e fundit, anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare, por tha se “Janë shqetësuese strukturat paralele në tri komunat në veri të Kosovës dhe refuzimi i tyre për njohje të autoriteteve në Prishtinë”. Përfaqësuesi i Turqisë tha se duhet të ketë një intensifikim të integrimit të mëtejmë të Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe u zotua për ndihmën e vendit të tij. Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës të bashkëpunojë me UNMIK-un në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe shfaqi mospajtim me qëndrimin serb rreth mosmbështetjes së zgjedhjeve. Meksika dhe Libia thanë se presim mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për t’u prononcuar për Kosovën, ndërsa përfaqësuesi i Ugandës u angazhua për një gjetje të një zgjidhje të negociuar dhe të qëndrueshme të statusit të Kosovës. Përfaqësuesi i Kostarikës bëri thirrje për njohje të mëtejme të pavarësisë së Kosovës dhe integrim të saj. Ambasadori francez në OKB tha se pavarësia e Kosovës e ka forcuar paqen dhe stabilitetin pas dy dekadash dhune. Përfaqësuesi i Japonisë i quajti zgjedhjet lokale një sfidë për institucionet e Kosovës në promovimin e pjekurisë demokratike, ndërsa ritheksoi se Japonia e ka mbështetur Kosovën dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në bashkëpunimin bilateral. Përfaqësuesi i Burkina Fasos bëri thirrje për zgjedhje transparente dhe demokratike në zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur, ndërsa Ambasadori i Kinës e vlerësoi situatën stabile sipas raportit, por shfaqi shqetësimin për tensionet në veri. “Kina respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë dhe shpreson se qeveria serbe dhe autoritetet e Kosovës do të gjejnë një zgjidhje të pranueshme përmes dialogut”, tha ai. Ambasadori i Kroacisë përshëndeti progresin e vazhdueshëm të Kosovës drejtë forcimit të demokracisë dhe shtetësisë, ndërsa për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit tha se ishin një test tjetër i maturimit të institucioneve të Kosovës.
Rusia pro Serbisë
Përfaqësuesi i Rusisë, Vitali Çurkin, tha se “pajtohej plotësisht me qëndrimet e Vuk Jeremiçit” dhe se nuk pajtohej me shumicën e mendimeve që paraqiti Skënder Hyseni. “Thirrjet për përmbylljen e rolit të UNMIK-ut të papranueshme dhe të rrezikshme”, tha Çurkin.  Ai rishfaqi pakënaqësinë edhe për pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në sesionin e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme.
SHBA për zgjedhjet
Përfaqësuesja e SHBA-së, Rosemary DiCarlo përshëndeti “fazën e re të UNMIK-ut”, duke theksuar se Uashingtoni përkrah tranzicionin dhe kthimin e EULEX-it si institucion parësor ndërkombëtar për rendin dhe ligjin. “Përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për jetësimin e provizioneve të planit të Ahtisarit. Zgjedhjet lokale do të krijojnë komunat e reja sipas planit Ahtisari dhe mundësojnë serbëve integrim në institucionet kosovare. Ne do të mbështesim integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe Serbinë në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, tha DiCarlo.
Kryesuesi pro UNMIK
Vietnami, si kryesues i mbledhjes mbështeti rolin e UNMIK-ut për përpjekjet ndërmjetësuese midis Beogradit dhe Prishtinës, duke thënë se vazhdimi i rolit të UNMIK-ut është i rëndësishëm për përfitimin e dy palëve.
Dueli Hyseni-Jeremiç
Ministri Hyseni kërkoi fjalën për herë të dytë, për të reaguar ndaj disa cilësimeve të Jeremiçit si “secesioni nga një grup etnik, shpallje e pavarësisë nga një grup etnik”. “Shpallja e pavarësisë është bërë nga të gjitha grupet etnike në Kosovë përveç serbëve”, tha Hyseni. Ai shprehu keqardhje që fjalët “krimi i organizuar, terrorizëm”, ishin fjalët e vetme përshkruese për Kosovën nga Jeremiçi duke shtuar se: “Pjesëtarët e UÇK-së janë luftëtarë të Lirisë, jo terroristë”. Ai tha se Jeremiç asnjëherë nuk foli për 15 mijë të vrarë shqiptarë, për qindra xhami të rrënuara, për krimet në gjithë Jugosllavinë të sponsorizuara, planifikuara dhe të kryera nga Qeveria e Serbisë.
“Nuk do të bëhem prokuror, por ne kemi sistemin gjyqësor të mbështetur fuqishëm nga EULEX-i. Ne do të dënojmë fajtorët në Kosovë, e jo Serbia, kurrë më. Serbia kurrë më nuk do të mund të mbajë seanca gjyqësore në Kosovë”, tha Hyseni duke akuzuar edhe një herë Jeremiçin se nuk foli për të zhdukurit në Kosovë, eshtrat e te cilëve janë diku në varreza masive në Serbi. “Nuk duhet të keqpërdoret Këshilli i Sigurimit për shpërndarje të pavërtetave”, tha ndër të tjera Hyseni.
Jeremiç u përgjigj shkurt pas sulmit të Hysenit që duket se e kapi në befasi, duke thënë se ai nuk ishte aty të mbrojë regjimin dhe krimet e Millosheviçit, por kujtoi se “qeveria ime e ka përmbysur diktaturën e tij”.    (RTK)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›