E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francë, kap vrasësin e së bijës pas 27 vite kërkimi

 

Prej 27 vitesh ka kërkuar vrasësin e së bijës, në atë kohë 14- vjeçare dhe sot do ta dorëzojë në Gjykatë. I dyshuari për vrasjen është një kardiolog gjerman, Dieter Krombach. I ati i vajzës së vrarë në vitin 1982, Andre Bamberski, e ka rrëmbyer atë në Gjermani për ta dërguar në Francë e për ta paraqitur në gjykatë për vrasjen e së bijës Kalinka. Bamberski ka pranuar se ka organizuar rrëmbimin e mjekut në Gjermani, duke u ndihmuar nga një person “që e ka takuar vetëm një herë”, që Krombach të transportohej nga jugu i Gjermanisë në Francë. Tani babai i Kalinkës po hetohet për rrëmbim dhe sekuestrim personi. Krombach, sipas avokatit të tij, është rrëmbyer të shtunën në mbrëmje pranë shtëpisë së tij në Baviera, ndërsa po hipte në makinë. Një burrë 38 vjeç me origjinë nga Kosova, i cili banon në Vorarlberg, në perëndim të Austrisë, është paraqitur në policinë austriake duke pranuar se ka marrë pjesë në rrëmbimin e mjekut. Bamberski, në profesion ekspert kontabël, ka investuar gati tri dekada në kërkim të Dieter Krombach, kardiologut gjerman dhe mikut të ri të gruas së tij. Në vitin 1982, Kalinka, e bija 14-vjeçare e Bamberskit, u gjet e vdekur me injeksion në shtëpinë e kardiologut, por në Gjermani çështja ishte arkivuar. Babai i vajzës kishte denoncuar në Francë se kardiologu e kishte droguar vajzën me qëllim për ta përdhunuar, por autopsia ishte kryer nga miqtë e tij, për të fshehur përdhunimin. Pas tre vitesh, Bamberski mori trupin e vajzës për një autopsi të re në Francë por, sipas tij, analizat treguan se asaj i ishin “prerë të gjitha pjesët gjenitale”. Në 1995 Krombach u dënua nga Parisi me 15 vjet burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›